Zyrtari i DASH-it në Kosovë e Serbi për t’i dhënë shtytje dialogut

Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë diskutimi në vizitën që do ta realizojë në rajon zëvendëssekretari i Shtetit amerikan për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës “për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”

Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, do ta zhvillojë një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor, nga 7 deri më 11 janar. Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate për media ka treguar se cila do të jetë agjenda e diskutimit në Kosovë.

“Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, shkruan në komunikatën e DASH-it.

Veç Kosovës, Verma do të vizitojë edhe në Shqipëri e Serbi.

Në Tiranë ai do të diskutojë për përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

E në Serbi, përveç dialogut me Kosovën, sipas DASH-it, zëvendëssekretari do të theksojë partneritetin strategjik në rritje për energjinë dhe çështjet ekonomike e ushtarake.

“Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë. Ai gjithashtu do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal”, shkruan në komunikatë.

Të martën në mëngjes, Verma diskutoi në Uashington me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Diplomati sllovak tha se diplomatin amerikan e informoi për zhvillimet rajonale dhe dialogun, dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian konfirmoi më 6 janar se është në proces të përzgjedhjes së pasuesit të Lajçakut. Ai do të jetë në postin e lehtësuesit në dialogun Kosovë-Serbi, deri në fund të janarit. Të premten e 3 janarit ka skaduar afati për paraqitjen e kandidatëve nga të cilët përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të zgjedhë se kë do ta emërojë si përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun. Ndër emrat që më së shumti vazhdojnë të përmenden janë ish-ministri i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen. Që të dy kanë përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, raporrton Koha.net

Media në Serbi vizitën e zyrtarit të lartë amerikan, Richard Verma, e kanë lidhur me paralajmërimin që i është dhënë Beogradit për vendosjen e sanksioneve, Nis Petrol.

Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar nga SHBA-ja, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi së fundi se do të vendosen sanksione të drejtpërdrejta ndaj industrisë serbe të naftës, ku pjesë të aksioneve posedon edhe Rusia. Sipas Vuçiqit, Departamenti amerikan i Shtetit i ka dhënë afat Serbisë 30 ditë kohë për ta gjetur një zgjidhje alternative dhe se një vendim përfundimtar do të merret deri më 15 mars.

Vuçiqi tha se diskutimet do të vazhdojnë edhe me administratën e re amerikane me në krye presidentin Donald Trump, nëpërmjet ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill.
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka komentuar mbi deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Sipas tyre, nuk mund t’i komentojnë bisedat private diplomatike dhe se nuk paragjykojnë sanksionet.