ZPS me deklaratë për Hajredin Kuçin, Isni Kilajn, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliun

ZPS-ja ka njoftuar për arrestimin e Bashkim Smakajt, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun në Kosovë sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

“Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura”, thuhej në komunikatën e ZPS-së.

Sipas ZPS-së, Hajredin Kuçit i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dha ZPS-së mbështetje operacionale dhe logjistike, dhe Policia e Kosovës dha mbështetje operacionale. ZPS-ja e merr pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”, thuhej më tej.