Zhduket incizimi i mbledhjeve ku u avancua rektori e disa profesorë, pasi votuan për vete

Njëri nga profesorët e Fakultetit Filozofik, ka votuar për vete gjatë procesit të avancimit, mohoi pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje. Ai tha se për këtë ka incizime, por në Fakultetin Filozofik thonë se ky material është tek ish-dekani i këtij fakulteti, Dashamir Bërxulli. Zhdukja ose fshehja e materialeve zyrtare, sipas Kodit Penal, përbën vepër penale.

Një nga profesorët e Fakultetit Filozofik, që KOHA raportoi se ka votuar për vete, kur dy vjet më parë u avancua në gradën profesor i asociuar, ka mohuar përfshirjen e tij në procesin e votimit.

Adem Beha, që në atë periudhë ishte prodekan, tha se ishte larguar nga mbledhja kur u diskutua avancimi i tij, megjithëse në procesverbalin e mbledhjes së Këshillit të Fakultetit nuk evidentohet një gjë e tillë.

Në procesverbal thuhet se njëzëri anëtarët e Këshillit votuan raportet e komisioneve vlerësuese që ndërlidhen me avancimet.

Beha u shpreh se mospjesëmarrja e tij në vendimmarrje dëshmohet përmes incizimeve të mbledhjeve.

“Në cilësinë e ish-prodekanit për kërkime shkencore, sipas detyrës zyrtare, kam qenë i ngarkuar t’i lexoj para Këshillit të fakultetit propozimet e komisioneve për secilin referat, përjashtimisht referatit tim. Në momentin e diskutimit online të referatit tim, raporti nr.8, kam deklaruar shprehimisht para Këshillit të fakultetit se nuk do të marr pjesë në diskutim dhe vendimmarrje për shkak të konfliktit potencial të interesit, kam dalë prej mbledhjes dhe menaxhimi i saj është udhëhequr tutje nga dekani i fakultetit. Se kjo është kështu, mund të dëshmohet nga incizimi i mbledhjes, por edhe nga të gjithë anëtarët e Këshillit që kanë qenë të pranishëm në atë mbledhje”, tha Beha.

Në Fakultetin Filozofik nuk i posedojnë këto incizime. Në një përgjigje për KOHËN, nga ky fakultet thanë se dokumentacionet dhe incizimet e mbledhjeve ku u shqyrtuan proceset e avancimit janë në posedim të ish-dekanit Dashamir Bërxulli.

E, Bërxulli nga e premtja nuk ka treguar nëse i posedon dokumentet dhe incizimin.

Rregullorja e punës së Këshillit të Fakultetit parasheh që mbledhjet të incizohen me diktafon.

Fshehja e këtyre materialeve, sipas Kodit Penal, përbën vepër penale. Sipas juristit Ardian Bajraktari, kjo është e dënueshme deri me tre vjet burgim.

“Në rast se kemi të bëjmë me dokumente zyrtare, atëherë natyrisht se në kuadër të kapitullit të veprave penale kundër rendit publik parashihen edhe disa dispozita të kodit penal të cilat natyrisht se është i mbrojtur dokumenti publik edhe zyrtarë, asgjësimi zhdukja ose tjetërsimi i tyre natyrisht se përbën vepër penale, në rast se i atribuohet personit i cili ka qenë përgjegjës për ruajtje atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me elemente të veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, në rast se jo personat e tjerë atëherë mund të kryejnë vepra të tjera qoftë asgjësim apo zhdukje të materialeve arkivore apo qoftë edhe materiale të tjera qoftë vula apo shkresat e tjera zyrtare”, tha juristi Ardian Bajraktari.

KOHA ka raportuar të dielën se sipas një dokumenti zyrtar të Këshillit të Fakultetit Filozofik, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, së bashku me gjashtë profesorë të tjerë kanë qëndruar në mbledhjet ku është diskutuar emërimi, riemërimi dhe avancimi i tyre dhe kanë votuar për veten. E kjo bie në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Rregulloren e punës së Këshillit të Fakultetit.

Rektori Hajrullahu nuk e ka mohuar se edhe vetë ka marrë pjesë në vendimmarrje kur është avancuar.

Ai në një përgjigje për KOHËN nuk ka dhënë sinjale se çështja do të vihet për diskutim në Senat, pa u trajtuar paraprakisht në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.