Është zbardhur agjenda e plotë e mbledhjes mes dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës më 20 dhjetor, ku nga sa bëhet me dije, të pranishëm do të jenë edhe dy kryeministrat, ai shqiptar Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.
Në bazë të agjendës, të cilën Albanian Post e ka parë, pritet që mbërritja e rreth 60 deputetëve nga Shqipëria të kryhet rreth orës 10:30.
Seanca ndërkaq është e parashikuar për të nisur në orën 11:00. Teksa, pritet që edhe pjesë nga administratat respektive të jenë të pranishme në këtë organizim.
Fillimisht, seanca solemne do të nisë me himnet respektive të Shqipërisë dhe Kosovës, sipas ceremonialit shtetëror.
Më pas, do të jetë kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ai i cili do të mbajë një fjalë hapëse prej 10 minutash në këtë seancë. Fjala e tij do të pasohet në po të njëjtin minutazh nga ajo e kryeparlamentares shqiptare, Elisa Spiropali.
Foltorja do t’i takojë më tej krerëve të grupeve parlamentare të opozitës, nga të dy vendet, ku grupet më të vogla do të kenë tre minuta kohë për një fjalë të rastit.
Pritet kështu që të mbajnë këtë fjalë Mesila Doda nga Grupi Parlamentar Demokraci dhe Integrim në Kuvendin e Shqipërisë. Më tej, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Agron Duka i GP Aleanca për Ndryshimin vijon fjalën dhe më tej janë edhe Enis Kervan nga KP Multietnik në Kosovë dhe Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Një fjalë prej 5 minutash do ta kenë ndërkaq dy grupet kryesore nga shumicat parlamentare dhe ato kryesore të opozitave.
Gazment Bardhi do të mbajë fjalën në emër të GP të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Abelard Tahiri në emër të Partisë Demokratike të Kosovës.
Niko Peleshi nga Partia Socialiste dhe Mimoza Kusari-Lila mbyllin fjalët nga krerët e grupeve parlamentare.
Podiumin më pas do ta marrë kryeministri shqiptar, Edi Rama, me një fjalë përmbyllëse 10 minuta dhe pas tij, do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me fjalën e tij përmbyllëse 10 minuta, duke mbyllur edhe seancën në tërësi.