Vendimi i Kurtit godet Shqipërinë, mallrat serbe “pushtuan” Kosovën gjatë 2024

Më 7 tetor 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi ndryshimin e masës së sigurisë për mallrat që importohen nga Serbia në pikën kufitare të Merdarës, duke mundësuar kështu rikthimin e produkteve serbe në tregun kosovar, pas një ndalese disa mujore shkruan Demokracia.com.

Heqja e kësaj barriere i hapi rrugë Serbisë për të rikthyer produktet e saj në tregun e Kosovës, duke përshpejtuar rikthimin e saj ndërsa ndalimi i mallrave nga Shqipëria ka pësuar një rënie të dukshme. Kjo ka shkaktuar një debat të vazhdueshëm lidhur me ndikimin ekonomik dhe politik të këtij zhvillimi, veçanërisht duke pasur parasysh marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet dy vendeve.

Pasi u hoq ndalimi i importit në fillim të tetorit 2024, Serbia ka shënuar një rritje të ndjeshme të eksporteve drejt Kosovës, duke rinovuar dinamizmin e tregtisë ndërmjet dy vendeve dhe duke rritur qarkullimin e mallrave. Ky fluks më i madh mallrash ka kontribuar në lehtësimin e aksesit të bizneseve kosovare në produktet serbe.

Në bazë të statistikave të importit nga vendet e CEFTA-s, të cilat janë publikuar nga Dogana e Kosovës  dhe janë përpunuar nga Demokracia.com në dhjetor 2024, Serbia ka shënuar importin më të madh për vitin 2024.

Sipas të dhënave zyrtare, në dhjetor 2024, vlera totale e importeve nga Serbia ka arritur në 16,451,495.41 euro, ndërsa në nëntor ajo ishte 15,073,758.92 euro dhe në tetor 10,829,626.30 euro. Para heqjes së ndalimit, në shtator 2024 ishte regjistruar një vlerë prej 8,618,017.46 euro.

Ky rritje e dukshme e importeve nga Serbia lidhet drejtpërdrejt me heqjen e ndalimit të importit në tetor, që ka mundësuar një fluks më të madh të mallrave në treg, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, kur kërkesa për produkte është tradicionalisht më e lartë.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, gjatë një konference për media sot, ka prezantuar të dhënat mbi të hyrat e Doganës për vitin 2024. Sipas deklarimeve të tij shihet edhe se si janë importuar mallra në sasi të mëdha nga Serbia.

“Importi nga Serbia është 127 milionë euro, ndërsa tri vendet kryesore nga të cilat importojmë më shumë janë Turqia, Gjermania dhe Kina. Nga Kina, importet përbëjnë mallra me origjinë të ndryshme. Vlera e mallrave nga Turqia është 909 milionë euro, ndërsa Gjermania është shumë afër kësaj shifre,” deklaroi Llugaliu.

Në anën tjetër, importet nga Shqipëria kanë pësuar një rënie të vazhdueshme. Për herë të parë, në dhjetor 2024, Serbia ka kaluar Shqipërinë në vlerën e importeve.

Ndërsa në muajin nëntor importet nga Shqipëria ishin 15,814,995.74 euro, në dhjetor ato ranë në 13,891,019.25 euro. Kjo rënie ka pasuar një trend të zbutjes së importeve nga Shqipëria, i cili ka arritur kulmin në gusht dhe korrik, kur importet nga Shqipëria arritën në vlera shumë më të larta, përkatësisht 22,508,346.75 euro në gusht dhe 27,345,962.08 euro në korrik. Kjo periudhë ka shënuar një përmirësim të dukshëm të rritjes së importeve nga Shqipëria, por ndryshimi i politikave tregtare ka nisur të ndikojë.

Në nivel rajonal, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës brenda CEFTA-s, duke lënë pas Shqipërinë dhe Serbinë. Vendet tjera si Mali i Zi, Bosnja dhe Moldavia kontribuojnë shumë më pak në importet e Kosovës. Ky zhvillim i dyfishtë në marrëdhëniet tregtare me Serbinë dhe Shqipërinë shfaq ndryshime të rëndësishme për ekonominë e Kosovës dhe mund të ketë pasoja të mëdha në politikat ekonomike dhe strategjitë afatgjata të qeverisë. /Demokracia.com/