Sonte gjysmëfinalja e Big Brother VIP Albania 4 – vetëm edhe dy vende të lira për në finale

Spektakli më i ndjekur televiziv në Shqipëri, Big Brother VIP Albania 4, arrin sonte një nga momentet më vendimtare të këtij edicioni – gjysmëfinalen. Vetëm dy vende janë ende të lira në finalen e madhe, që do të mbahet më 19 prill, dhe gjashtë banorë janë në garë të drejtpërdrejtë për t’i siguruar ato.

Danja, Gerta, Gjesti, Jozi, Egli dhe Loredana janë banorët që sonte do t’i nënshtrohen votës së publikut, në një televotim emocionues që do të përcaktojë dy emrat e fundit që do të plotësojnë listën e finalistëve. Deri tani, Rozana Radi dhe Laert Vasili janë të vetmit që kanë siguruar zyrtarisht vendin në finalen e madhe, duke fituar mbështetjen e publikut në fazat e mëparshme të spektaklit.

Në total, katër finalistë do të konkurrojnë për çmimin e madh prej 100 mijë eurosh, por ka edhe një përjashtim të rëndësishëm: në rast se Jozi apo Egli shpallen fitues, ata do të përfitojnë vetëm gjysmën e çmimit, për shkak se kanë dalë një herë jashtë nga shtëpia, duke thyer rregullin e qëndrimit të pandërprerë.

Gara tashmë ka hyrë në fazën më intensive, dhe sonte pritet një natë plot emocione, surpriza dhe vendime të mëdha, që do të përcaktojnë përfundimisht se kush do të jetë në garë për kurorën e fituesit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania.