Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka vizituar Irakun më 4 dhe 5 shkurt 2025, së bashku me komandantin Suprem të Aleatëve për Evropë (SACEUR), gjeneralin e ushtrisë amerikane Christopher G. Cavoli.
Gjatë udhëtimit të tij, ai u takua me presidentin, Dr. Abdul Latif Rashid, kryeministrin, Mohammed Shia’ Al-Sudani dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë të qeverisë irakiane, me të cilët shkëmbyen mendime mbi një sërë temash, duke përfshirë rolin e misionit të NATO-s në Irak (NMI), partneritetin NATO-Irak dhe situatën e sigurisë në rajon.
Rutte ka thënë se NATO dhe Iraku kanë arritur shumë suksese falë bashkëpunimit që kanë.
“Që nga viti 2018, përmes përpjekjeve të tij këshilluese dhe ngritjes së kapaciteteve, Misioni i NATO-s në Irak ka kontribuar për t’i bërë forcat, institucionet dhe strukturat irakiane të sigurisë më efektive, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për një afat të gjatë. Përgëzoj partnerët tanë irakianë dhe udhëheqjen dhe personelin e NMI-së për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit të zhvilluar, në disa fusha, duke përfshirë edukimin e sigurisë, logjistikën, mbrojtjen kibernetike dhe qeverisjen e mirë”, tha Sekretari i Përgjithshëm.
“Me kërkesë të autoriteteve irakiane dhe në respekt të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Irakut, ne po zhvillojmë fushëveprimin e aktiviteteve tona, në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme të Irakut drejt sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e tij”, shtoi ai.
Në Samitin e NATO-s në Bruksel në korrik 2018, udhëheqësit aleatë nisën misionin e NATO-s në Irak, pas një kërkese dhe me ftesë nga Qeveria e Irakut. Misioni u krijua në Bagdad në tetor 2018. Komandanti aktual i tij është gjeneral-lejtnant Lucas Schreurs, nga Holanda.
Misioni i NATO-s në Irak është një mision jo-luftarak këshillues dhe për ndërtimin e kapaciteteve që ndihmon Irakun në ndërtimin e institucioneve dhe forcave më të qëndrueshme, transparente, gjithëpërfshirëse dhe efektive të sigurisë, në mënyrë që ata vetë të jenë në gjendje të stabilizojnë vendin e tyre, të luftojnë terrorizmin dhe të parandalojnë kthimin e ISIS/Daesh. /Klankosova.tv