Ushtria e Ukrainës raportohet se ka nisur një ofensivë të re në rajonin Kursk të Rusisë, sipas disa blogerëve ushtarakë rusë.
Zyrtarët e Kievit nuk kanë konfirmuar ende një operacion të ri të madh në rajon, transmeton Telegrafi.
Reuters raportoi se Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ushtarët ukrainas ndërmorën një kundërsulm në rajonin e Kurskut, por u penguan nga ushtria e Moskës.
Në gusht të vitit 2024, Kievi nisi një operacion ushtarak në Kursk, i cili dukej se kapi në befasi presidentin rus Vladimir Putin dhe madje edhe aleatët e Ukrainës.
Ukraina që atëherë ka mbajtur pozicionet në Kursk, por Rusia ka marrë përsëri kontrollin e afërsisht gjysmës së zonës së pushtuar nga ushtria e Kievit.
Të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vuri në dukje se operacionet e Ukrainës në rajonin e Kurskut mund të luajnë një “një rol të rëndësishëm” gjatë negociatave të ardhshme me Rusinë, për t’i dhënë fund luftës.
Blogerët ushtarakë rusë shkruan se forcat e armatosura të Ukrainës filluan sulmet në juglindje të qytetit të Sudzha përpara se të lëviznin drejt Fanaseevka dhe Ulanok.
Një hartë e së mërkurës nga Instituti për Studimin e Luftës tregon drejtimin e operacionit të raportuar të Ukrainës në Kursk.
Në fillim të kësaj jave, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës shkroi në një përditësim të postuar në Facebook, se forcat e tij kishin kryer një sulm me precizitet të lartë në një komandë ruse pranë Novoivanovka, një fshat në rajonin e Kurskut.
“Si rezultat i operacionit, objekti pësoi dëme të konsiderueshme, duke çuar në viktima të konsiderueshme midis personelit të armikut”, u tha nga ushtria ukrainase, duke vënë në dukje se u morën masa për të kufizuar rrezikun për civilët.