Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka vendosur të rinovojë kontratën për shfrytëzimin e automjeteve me qira me kompaninë “Atllas-N SH.P.K.”, pavarësisht se më herët vetë menaxhmenti i saj kishte rekomanduar shkëputjen e kësaj marrëveshjeje, shkruan Demokracia.com.
Sipas kontratës së re, RTK-ja do të paguajë 69,600 euro për një vit për përdorimin e 15 veturave limuzinë dhe një kombibusi. Ky vendim vjen pas një periudhe kur pushteti aktual, dikur në opozitë, kishte kritikuar ashpër këtë kontratë, duke e konsideruar të dëmshme për RTK-në.
Në një raport konfidencial të hartuar gjatë menaxhimit të mëparshëm të RTK-së, ishte theksuar se kontrata me këtë kompani nuk ishte në interes të institucionit dhe se për të njëjtën shumë, RTK-ja do të mund të blinte 34 vetura të reja. Përkundër këtyre gjetjeve dhe polemikave të mëparshme, RTK kishte vazhduar edhe vjet bashkëpunimin me të njëjtën kompani përmes një procedure të negociuar, duke i dhënë një tjetër kontratë për një periudhë gjashtëmujore me vlerë 33,900 euro, që tash ka skaduar.
Raporti konfidencial
Nacionale kishte raportuar në vitin e kaluar se nën menaxhimin e Shkumbin Ahmetxhekajt, ish-drejtor i përgjithshëm i RTK-së dhe Arsim Halilit, ish- u.d. zëvendësdrejtor i RTK-së, ishte hartuar një raport konfidencial në lidhje me kontratën për vetura me kompaninë “Atllas-N”. Në këtë raport theksohej se kontrata me “Atllas”-in ishte kundërshtuar nga Bordi i RTK-së dhe se RTK-ja mund të blinte 34 automjete me kilometrazhë zero.
Raporti kishte gjetur se në këtë proces tenderues kishte pasur disa shkelje ligjore, por përkundër kësaj, kompania në fjalë ishte shpërblyer me tender.
“Me një llogaritje të thjeshtë dhe sipas vlerës së tregut, me këto mjete, RTK do të mund t`i blinte 34 automjete me kilometrazhë zero që do t`i kishte pronësi të saj dhe të cilat nuk do të kishin nevojë fare për servisim në 5 vitet e para. Ky tender ishte dhënë përkundër se nuk ishte i planifikuar në projeksionin buxhetor të miratuar në Kuvend dhe është kundërshtuar nga Bordi i RTK-së, ndonëse nuk kishte marrë masa ndaj menaxhmentit”, shkruhet në raportin konfidencial të RTK-së.
Tutje në raport janë dhënë edhe disa rekomandime goxha konkrete, përfshirë mosvazhdimin e kontratës.
“Të mos vazhdohet me kontrata të tilla për shfrytëzimin e veturave me qira. Të shikohet mundësia e ndërprerjes së parakohshme. Të autorizohet NJAB-i për hetimin e plotë të kësaj kontrate që prej fazës inicuese të projektit. Të zbatohet rregullativa e brendshme ndaj të përfshirëve që dyshohet se i kanë shkaktuar humbje buxhetit të RTK-së në tenderin me vlerë prej mbi gjysmë milioni euro. Rasti të procedohet në organet e drejtësisë”, thuhej në raportin konfidencial të RTK-së.
Në një përgjigje të shkurtër, Ahmetxhekaj kishte konfirmuar se e kishte dorëzuar në prokurori këtë kontratë. Bordi i RTK-së nuk i kishte dhënë miratim Ahmetxhekajt për ta vazhduar këtë kontratë, duke qenë kundër vazhdimit, por tani RTK-ja e ka vazhduar marrëveshjen me “Atllas”-in.