Reshje shiu dhe stuhi, përmbyten rrugët në Durrës

Reshje të dendura shiu përfshinë qytetin e Durrësit gjatë mesditës së sotme. Menjëherë shumë rrugë u mbuluan nga uji, por më problematike janë rrugët në kryqëzimin e stadiumit në lagjen numër 18 të qytetit.

Reshjet me intensitet të lartë menjëherë krijojnë probleme në këtë pjesë të qytetit, duke krijuar përmbytje dhe radhë të shumta automjetesh.Uji ka arritur shumë shpejt nivelin e trotuareve, madje në disa rrugë sipër tij.Punonjës të Ujësjellës Kanalizime kanë dalë në terren, ndërkohë që situate pritet të përmirësohet me ndalimin e reshjeve.

Edhe rajoni i Lezhës është përfshirë nga era e fortë me stuhi shiu. Kjo situatë ka sjellë pezullimin e lundrimit detar për peshkarexhat dhe mjetet e vogla të peshkimit në Shëngjin. Po ashtu stuhia ka sjell probleme dhe me furnizimin me energji elektrike në disa zona, pasi ka dëmtim të linjave.