Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka thënë se nëse SPAKU dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur, duke garantuar njëkohësisht standardet demokratike, ky nuk do të ishte thjesht dështim i Partisë Socialiste dhe i tij personalisht, por dështim i tërë Shqipërisë.
Në një postim në platformën X, ai ka theksuar se kjo do t’u jepte “të drejtë” të gjithë atyre që qysh prej 1912 e deri kur, sipas tij, Partia Socialiste, nisi Reformën në Drejtësi, “nuk i hynë kurrë, asnjëherë, këtij deti në këmbë dhe nuk i dhanë kurrë pavarësi drejtësisë”.
“Këto institucione të reja janë gurë themeli për një kthesë shumë të fortë historike dhe tanimë që pavarësia e tyre është 100% e provuar – vetëm idiotët noterikë të Shvejkut dhe ligësirat me dy këmbë të kënetës opozitare mund të thonë akoma që i kontrollojmë ne – është detyra jonë të mos lejojmë që shkelja e standarteve dhe abuzimet individuale brenda tyre me pavarësinë, t’i marrin si lumi këta gurë themeltarë, duke e abortuar misionin historik të luftës kundër korrupsionit nga një drejtësi e drejtë”, ka thënë Rama.
Ndër tjera, Rama ka shtuar se kush ka bërë e bën korrupsion duhet të dridhet nga drejtësia, kush bën punën e tij nuk duhet të trembet nga gabimet në punë dhe askush s’duhet të guxojë ta trajtojë si fajtor, t’i bëjë presion, t’i marrë peng celularin e kështu me radhë apo ta marrë peng edhe atë vetë duke i vënë në kokë kapuçin me mbishkrimin magjik “shpërdorim detyre”.
“Të akuzosh është kollaj, të provosh është vështirë, prandaj edhe prokurorët e gjykatësit specialë paguhen sa askush në këtë republikë dhe institucionet e tyre mbështeten si asnjë nga kjo qeveri. Që të provojnë, jo që thjesht të akuzojnë dhe ta kthejnë burgun pa gjyq në një rrugë normale, duke thyer rëndom kornizën e ligjit e duke u sjellë me shoqërinë si republikë më vete”.
“SPAKU na ka treguar se i ka forcat që dinë ta hetojnë e ta ekspozojnë korrupsionin dhe ne do të jemi gjithnjë mbështetës pikërisht për këtë, por historia na ka treguar se rreziku që në emër të antikorrupsionit të goditet jo korrupsioni, po demokracia, shteti, ekonomia, nuk duhet neglizhuar kurrë. Dhe ne nuk do ta neglizhojmë. Kaq di unë. Të tjerat i di këneta politiko-mediatike dhe ju duhet vetëm të zgjidhni, o me drejtësinë dhe demokracinë o me kënetën dhe pa drejtësinë”, shkruan Rama.