Presidentja e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës, eurodeputetja Svenja Hahn ka shprehur mbështetjen e saj për kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Përmes një video-adresimi, Hahn është shprehur se pjesë e misionit të saj është edhe zhvillimi ekonomik i një vendi dhe Hamza mund ta bëjë këtë.
“Kjo është arsyeja pse jam shumë e lumtur që shoh se Bedri Hamza synon të krijojë mundësi më shumë për sipërmarrësit dhe të sigurojë që çdo qytetar të ketë mundësinë të arrijë potencialin e tij të plotë”, ka thënë ajo.
Hahn është shprehur se Kosova mundet ma mirë me PDK-në në Qeveri.
“Si grua në politikë, e di se barazia mund të arrihet vetëm së bashku. Prandaj, mirëpres qëllimin e Bedri Hamzës për t’i bërë gratë pjesë aktive të vendimmarrjes me politika të qarta për barazi dhe përfaqësim të drejtë. Kosova meriton më shumë dhe mund të bëjë më shumë me PDK-në, partinë anëtare të ALDE-s”, ka thënë ajo.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka falënderuar eurodeputeten Hahn për përkrahjen.
“Faleminderit Presidentes së Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), eurodeputetes gjermane Svenja Hahn, për mbështetjen e fuqishme ndaj PDK-së dhe kandidatit tonë për Kryeministër, Bedri Hamza”, ka shkruar Krasniqi.
Kjo është mbështetje e të gjitha partive simotra nga familja e madhe liberal-demokrate, që janë pjesë e ALDE-s, anëtare e së cilës me të drejta të plota është edhe Partia Demokratike e Kosovës.