Me marrjen e Presidencës së Këshillit të BE-së në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës, diplomacia polake do të synojë hapjen e kapitujve të mëtejshëm me Shqipërinë.
Samiti i mbajtur në Bruksel mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor nxorri në pah qëllimin e autoriteteve evropiane se zgjerimi i bllokut do të mbetet një prioritet kryesor gjatë pesë viteve të ardhshme.
“Ky është momenti i vërtetë ku të gjithë do të njihen me të gjithë”, deklaroi Ferit Hoxha, shefi i misionit të Shqipërisë në BE. “Është e rëndësishme që të shpalosim rastin tonë para liderëve të BE-së… për t’i futur ata vërtet në procesin e zgjerimit”.
Kryeministri Edi Rama nuk kurseu nga ana tjetër lëvdatat për Hungarinë, e cila e ka bërë prioritet zgjerimin që prej korrikut.
“E gjithë kjo po ndodh falë presidencës hungareze”, theksoi ai. “Më shumë ka ndodhur në dy muajt e fundit sesa në 15 vitet e fundit”, qëndroi në të njëjtën linjë ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë Péter Szijjártó.
Por, dy ditë më pas, një takim i kryediplomatit polak Radosław Sikorski me krerët e shtetit në Tiranë solli gjithashtu në vëmendje se tendenca e perspektivës evropiane të vendit nuk do të ndryshojë aspak edhe gjatë presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së, e cila do të mbahet nga Polonia.
“Po, ministri Radosław Sikorski foli në Shqipëri për presidencën polake, dhe në këtë kontekst veçanërisht për perspektivat e hyrjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë (hapja e kapitujve të mëtejshëm)”, konfirmoi Ministria e Jashtme e Polonisë për Albanian Post.
Ministri theksoi se Polonia është e gatshme të ofrojë asistencë ligjore dhe administrative, shtoi zëdhënësi i MPJ-së polake.
Ndër fjalitë kyçe të Sikorski-t ishte se “Shqipëria është një vend që ka bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt Evropës”, shtoi ai.
Kryediplomati u shpreh gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar se politika e zgjerimit ka qenë ndër prioritetet e Presidencës polake, me “Poloninë që mbështet aktivisht partnerët e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian”.
Fushat që autoritetet polake mund të asistojnë diplomacinë shqiptare lidhen me zhvillimin rajonal, thithjen e fondeve të BE-së, menaxhimin strategjik në politikën e kohezionit, prokurimin publik ose ngritjen e kapaciteteve të administratës publike në procesin e negociatave dhe anëtarësimit.
Kujtojmë që, Brukseli mirëpriti më 17 dhjetor një tjetër Konferencë Ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
Shqipëria hapi Cluster-in 6 (Grup-Kapitull – ed.), i cili përfshin Kapitullin 30 për marrëdhëniet e jashtme dhe Kapitullin 31 për politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.
Ky hap i rëndësishëm erdhi vetëm dy muaj pas hapjes së grup-kapitujve themeltar më 15 tetor.
Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës hungareze të Këshillit të BE-së dhe me pjesëmarrjen e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos.
Delegacioni shqiptar kryesohej nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
BE-ja vendosi gjithashtu standarde për mbylljen e përkohshme të këtyre kapitujve, sqaron njoftimi zyrtar i Brukselit.
Sipas tyre, monitorimi i progresit në përafrimin dhe zbatimin e acquis të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane do të vazhdojë përgjatë gjithë negociatave.
Referuar raportit vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë të publikuar në tetor, vendi ka një nivel të mirë përgatitjeje si në Kapitullin 30 ashtu edhe në Kapitullin 31.
Vendi është plotësisht në përputhje me politikat e jashtme dhe të sigurisë të Unionit.