Peci kërkon që Qeveria e re e Kosovës ta re-kalibrojë me urgjencë politikën e saj me SHBA-të

Në këtë situatë, sipas diplomatit kosovar, fjalët më nuk kryejnë punë, por veprat e menjëhershme në ndryshimin e politikës së deritanishme.

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, ka vlerësuar se Qeveria e re e Kosovës – e cila do të themelohet – si rezultat i Zgjedhjeve Parlamentare të 9 shkurtit duhet që ta re-kalibroj me urgjencë politikën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos marrë parasysh paparashikueshmërinë e Administratës së Donald Trump.

“Mesazhet e Presidentit Trump tregojnë në mënyrën më të mirë situatën në të cilën gjendemi, dhe kjo është pasojë e disfatës strategjike të politikës së jashtme të Kosovës gjate mandatit të Presidentit Biden”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook, duke dhënë si referencë përmbajtjen e letrës së Trump-it sa i përket çështjes së dialogut dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë vitit 2021 dhe gjatë vitit 2025.

Në këtë situatë, sipas diplomatit kosovar, fjalët më nuk kryejnë punë, por veprat e menjëhershme në ndryshimin e politikës së deritanishme.

“Kush mendon se ky ndryshim i politikës do të ishte servilitet, nuk ka lidhje me kuptueshmërinë e interesave shtetërore”, ka shtuar ai.

Peci ka vënë re se në letrën e dërguar Vuçiç-it për Ditën Kombëtare të Serbisë, Trump theksonte nevojën e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa në letrën e ditës së martë të Trump-it, dërguar Vuçiç-it, as që përmendet njohja reciproke dhe as Kosova.