Nis për herë të parë në QKUK programi për zbulimin e sëmundjeve të rënda tek të porsalindurit

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka nisur për herë të parë në vend programin e Skriningut Neonatal Metabolik, një iniciativë jetike që mundëson identifikimin e hershëm të sëmundjeve të rënda metabolike dhe gjenetike tek të porsalindurit.

Ky program përbën një hap të madh përpara në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për foshnjat dhe është një arritje e rëndësishme për sistemin shëndetësor të Kosovës, transmeton klankosova.tv.

Skriningu kryhet brenda 24 deri në 48 orëve pas lindjes dhe është një mundësi për të diagnostikuar sëmundje që mund të mos shfaqin simptoma menjëherë, por që, nëse nuk zbulohen në kohë, mund të shkaktojnë pasoja të rënda për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.

Nëpërmjet këtij programi, do të mund të zbulohen herët sëmundje si hipotiroidizmi kongjenital, fenilketonuria, fibroza cistike, galaktozemia dhe atrofia muskulare spinale (SMA).

Për të siguruar zbatimin e suksesshëm të këtij programi, është nisur trajnimi i stafit shëndetësor në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK dhe në spitalet rajonale.

Ky trajnim sipas njoftimit të SHSKUK, ka për qëllim përgatitjen e profesionistëve për kryerjen e testimeve dhe menaxhimin e rasteve të identifikuara, duke siguruar kështu një shërbim të nivelit të lartë dhe të sigurt për të porsalindurit në Kosovë.