Nga urrejtja në dashuri: Si u “pajtua” Kurti me rivalët, për vota?

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, nuk po lë gjë pa i thënë partisë kundërshtare Lidhjes Demokratike të Kosovës, në fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Thuajse njëjtë kishte vepruar edhe më herët, sidomos me kryetarin e mëhershëm të kësaj partie, Isa Mustafa.

Por, kishte faza kur ai shkrihej pas LDK-së, e sidomos Isa Mustafës.

E këtë veprim Kurti, e bëri kur se pa se mund të përfitonte diçka nga kjo parti.

Pas zgjedhjeve të 2019-tës, pra pesë vjet më parë, Lidhja Demokratike dhe Mustafa që ia mundësuan Kurtit të bëhej kryeministër.

Kreu i Vetëvendosjes, atë që pak kohë më parë e quante gënjeshtar, tradhtar e superkriminel, nisi ta thirrte me respekt maksimal.

Me Mustafën e opozitarët tjerë Kurti pati kaluar një periudhë dëliri edhe pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur PDK nuk mund ta bënte qeverinë vetë e subjektet tjera u bënë bashkë rreth koalicionit opozitar të këmishave të bardha Vetëvendosje-LDK-AAK-Nisma.

Shefi i VV-së, e kalonte mirë në VLAN, pavarësisht se veç pak muaj më parë i quante me epitete të ndryshme disa prej liderëve të këtij tubimi politik.

Po të njëjtit, por pa Isa Mustafën, për Kurtin ishin burra e politikanë shumë të mirë e të pranueshëm, kur i bashkoheshin për t’i mbushur sheshet e Prishtinës në protesta e marshime kundër ish kryeministrave.