Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka zgjedhur një furrë buke për të bërë propagandën e fundit zgjedhore, duke tentuar ta lidhë suksesin e tij politik me diçka aq elementare sa buka e gojës. Sikurse disa herë më parë, ai pretendon se Kosova ka siguruar “bukën e motmotit”, por të dhënat e Doganës së Kosovës e demantojnë haptas këtë pohim, shkruan Demokracia.com.
Në prag të zgjedhjeve, mes furrës dhe propagandës, ministri shkroi sot ne rrjetin social facebook: “Duhet me kanë në tokë të bukës e me e siguru bukën për me i fitu zgjedhjet!”.
Por, a është kjo e vërtetë? A është Kosova vërtetë në tokë të bukës, apo në tokë të importit dhe varësisë nga të tjerët?
Shifrat që rrëzojnë propagandën
Të dhënat e Doganës së Kosovës, të siguruara nga Demokracia.com, dëshmojnë një varësi të madhe të Kosovës nga importi i miellit dhe grurit, përkundër pretendimeve të ministrit. Vetëm në janar të këtij viti Kosova ka importuar nga Serbia mbi 1,3 milionë euro grurë. (Doc)
- Miell prej grurit të zakonshëm ose spelt është importuar në vlerë prej 490 mijë euro
- Miell prej grurit durum – 4,700 euro
- Miell thekre – 4,000 euro
- Grurë (jo durum) nga vendet e tjera – 36,173 euro
- Vetëm nga Serbia është importuar 1,313,356 euro grurë durum.
Pra, vetëm për muajin janar 2025, Kosova ka importuar mbi 1.8 milionë euro miell dhe grurë. Çfarë ndodh kur shohim shifrat e vitit të kaluar?
Viti i kaluar: Mbi 22 milionë euro import gruri
Në vitin 2024, Kosova ka importuar:
- Miell prej grurit të zakonshëm ose spelt – 6.5 milionë euro
- Grurë në total – 22.5 milionë euro, nga të cilat:
- Grurë (jo durum) nga të gjitha vendet – 2.4 milionë euro
- Grurë (jo durum) vetëm nga Serbia – 15.7 milionë euro
- Grurë i zakonshëm ose farë për mbjellje nga Serbia – 3.1 milionë euro
- Grurë i zakonshëm ose farë për mbjellje nga vende të tjera – 1.1 milionë euro
- Grurë durum – 92 mijë euro
Pra grurë e miell mbi 29 milionë euro. (Doc)
E thënë më thjeshtë, Kosova importon çdo muaj mijëra tonë grurë dhe miell nga jashtë, me shumicën absolute që vjen nga Serbia. Në kohën kur fermerët e Kosovës ankohen për mungesë mbështetjeje dhe subvencione të pamjaftueshme, kjo qeveri nuk ka pasur problem të vazhdojë varësinë nga Serbia për bukën e përditshme.
Kur Faton Peci thotë se “është siguruar buka”, qytetarët duhet të dinë se çfarë po u servohet në këtë diskurs të tejskajshëm propagandistik. Nëse Kosova do ta kishte siguruar bukën, atëherë pse kemi këtë varësi ekstreme nga importi? Dhe nëse Kosova e ka te garantuar bukën, pse çmimi i saj është rritur?
Në vitin 2021, para se Peci të vinte në pushtet, një bukë kushtonte 30-40 cent. Sot, një bukë e zakonshme kushton 60 cent. Pra, përveçse Kosova importon grurin nga Serbia, qytetarët po e paguajnë më shtrenjtë për të njëjtën bukë që, sipas ministrit, “është siguruar”. /Demokracia.com/