“Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”.
Ky ishte paralajmërimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, më 10 qershor 2007, nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.
George Bush dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën premtimin e tyre që ia kishin dhënë popullit të Kosovës, duke u bërë edhe mbështetës të mëdhenj në ecjen e shtetit të ri.
Por, ky premtim i madh e i shumëpritur për shqiptarët, nuk kishte kurrfarë domëthënie për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, shkruan Demokracia.com.
Vetëm dy ditë më vonë, më 12 qershor 2007, gazeta amerikane New York Times i kishte kushtuar një artikull të gjatë zhvillimeve në Kosovë pas premtimit të madh të presidentit amerikan.
Gazeta amerikane me ndikim global shiruante se premtimi i presidentit Bush nuk e kishte impresionuar Albin Kurtin.
“Ashtu si shqiptarë të panumërt etnikë në Kosovë, Albin Kurti e kaloi fundjavën i ngjitur pas televizorit, duke parë vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri. Ai ishte i etur të shihte se çfarë do të thoshte zoti Bush nga përtej kufirit për përpjekjet e Kosovës për të fituar pavarësinë e saj nga Serbia”, thuhej në artikullin e “New York Times”, më 12 qershor të vitit 2007.
“Zoti Bush tha se ai e mbështeste pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që të ishte e mundur, por z. Kurti, i cili kundërshton rolin e Kombeve të Bashkuara në përcaktimin e statusit të Kosovës, nuk i bëri përshtypje”, thuhet në këtë artikull të “New York Times”.
Madje, përpos mosbesimit ndaj ish-presidentit Bush, Kurti ishte shprehur edhe kundër planit të Kombeve të Bashkuara, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës bazuar në këtë plan do të kishin shumë pushtet në Kosovë e Kurti ishte kundër kësaj, duke e quajtur edhe situatë koloniale.
Ai besonte se plani i Kombeve të Bashkuara për provincën do t’i linte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën me shumë pushtet, duke vënë në dukje se do të lejonte një figurë të caktuar të ndërhynte në çështjet e policisë dhe gjyqësorit të Kosovës.
“Kjo është një situatë tipike koloniale”, tha Kurti.
“Sigurisht që ka mbështjellje moderne, por mbetet një situatë koloniale”.
Artikulli i gazetës amerikane është ende i qasshëm në faqen elektronike: https://www.nytimes.com/2007/06/12/world/europe/12kosovo.html
Për të kritikuar dhe shprehur mosbesimin e tij ndaj presidentit amerikan George W. Bush, Kurtit nuk ishte mjaftuar me vetëm një deklaratë. Ai kishte vazhduar edhe në media të tjera.
Më 27 nëntor 2007, Kurti kishte zgjedhur mediumin e njohur austriak “Die Presse” për të kritikuar presidentin amerikan George W. Bush. Përpos mosbesimit, atë e kishte fyer duke e quajtur edhe gënjeshtar.
Mediumi austriak i kishte thënë Kurtit se fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Hashim Thaçi, kishte premtuar se do të veprojë pas 10 dhjetorit 2007, por Kurti përsëri kishte shfaqur skepticizmin e tij.
Në pyetjen e mediumit “Die Presse”, se edhe presidenti Bush ka folur për pavarësinë e Kosovës, Kurti e kishte quajtur president gënjeshtar, i cili kur e ka gënjyer publikun amerikan pse mos t’i gënjejë edhe shqiptarët.
“Së shpejti e gjithë kjo do të jetë histori. Fituesi i zgjedhjeve, Hashim Thaçi, ka premtuar se do të veprojë pas 10 dhjetorit, ndërsa presidenti amerikan George W. Bush ka folur për pavarësi këtë vit. Ju duhet të jeni të lumtur për këtë”, i drejtohet Die Presse, Kurtit.
“Jo me nxitim. Udhëheqja jonë nuk do të shpallë pavarësinë, nëse fuqitë ndërkombëtare nuk e japin atë. Dhe vetë George Bush gënjeu publikun amerikan, pse të mos gënjejë këtu?”, përgjigjet Kurti.

Mosbesim të madh, Kurti ka vazhduar të nxisë ndaj zyrtarëve të lartë amerikanë edhe nga posti i tij zyrtar si Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Gjatë katër viteteve të tij si kryeministër, Kurti ka arriur të krijojë frymën antikamerikane dhe antiperëndimore në Kosovë, duke përhapur dezinformata dhe qëndrime të pambështetura në fakte se bashkësia ndërkombëtare është kundër disa qëllimeve të shtetit të Kosovës. /Demokracia.com/