Kryeministri francez i shpëton mocionit të mosbesimit

Kryeministri francez, François Bayrou, i ka shpëtuar një mocioni të mosbesimit të nisur në parlament nga e majta ekstreme, pasi që partia e ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar dhe Socialistët (PS) e qendrës së majtë nuk e mbështetën mocionin kundër tij.

Të mërkurën, 128 ligjvënës francezë votuan në favor të mocionit të parë të mosbesimit, me kufirin e votave që është 289 sosh.

E majta ekstreme në Francë, e njohur si Të Papërkulurit (LFI), kishte paraqitur dy mocione të mosbesimit kundër kryeministrit pasi që ai kishte përdorur fuqinë e tij kushtetuese për të shtyrë përpara buxhetin vjetor, raportoi The Guardian të enjten.

Neni i njohur 49.3, i mundëson Qeverisë të kalojë ligje edhe pa votën e Parlamentit.

Vendimi nga Partia Socialiste për të mos e mbështetur mocionin zemëroi partnerët e majtë të Frontit të Ri Popullor dhe mund të shkatërrojë koalicionin që së bashku kishte fituar më së shumti ulëse në zgjedhjet e kaluara.

Të martën, lideri i të majtëve ekstremë Jean-Luc Mélenchon, deklaroi se vendimi i Partisë Socialiste nënkupton fundin e koalicionit. “Fronti i Ri Popullor ka një parti më pak”, u shpreh Mélenchon.

Deputeti i LFI-së dhe presidenti i Asamblesë Kombëtare të Komisionit për Financa, Éric Coquerel i akuzoi socialistët për tradhti.

Me një vit afër zgjedhjeve të ardhshme komunale dhe dy vjet afër zgjedhjeve të presidenciale, analistët politikë besojnë se e majta nuk ka zgjidhje tjetër përveç të qëndrojë e bashkuar, nëse dëshiron të garojë kundër partisë së ekstremit të djathtë të Marie Le Pen.

Alexis Corbière, një deputet i krahut të majtë që u përjashtua nga LFI pas mosmarrëveshjeve me Mélenchon para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, tha se vendimi i Partisë Socialiste ishte “një gabim politik dhe strategjik”.

Përpjekjet e Bayrou nuk kanë përfunduar. Ai do të përdorë nenin 49.3 për të shtyrë përpara dy legjislacione që lidhen me sigurimet shoqërore, duke nxitur edhe dy mocione të tjera mosbesimi nga LFI.

PS ka thënë se ka për qëllim të paraqesë mocionin e vetë të mosbesimit, me shumë gjasa në javën tjetër, për shkak të deklaratave të Bayrou – të cilësuara si gjuhë e urrejtjes nga shumica – që francezët po “ndiheshin të mbytur nga imigracioni”.