Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë detaje lidhur me verifikimin e pakove me fletëvotime të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri më tani janë shqyrtuar mbi 28 mijë pako me fletëvotime të ardhura përmes postës.
Nga këto, 26 mijë e 13 janë pranuar si të vlefshme, ndërsa 2 mijë e 57 janë refuzuar për shkak të parregullsive të ndryshme.
“Është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës , respektivisht nga votimi përmes postës. Nga data 9 shkurt kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më tani, këtij procesi i janë nënshtruar rreth 28 mijë e 99 pako, prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13 ndërsa janë refuzuar 2 mijë e 57. Arsyeja pse janë refuzuar këto dërgesa postare, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit apo janë dërguar më shumë se një herë”, ka thënë Elezi.
Gjithashtu, procesi i verifikimit do të përfshijë edhe 12 mijë e 801 vota të hedhura me kusht, të cilat do të krahasohen me listën e votuesve të rregullt për të siguruar vlefshmërinë e tyre.
“Votimi me kusht dhe atyre i personave me nevoja të veçanta, numri i zarfeve me fletëvotime nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597”, ka thënë ai.