Kapacitetet e bllokuara, kostoja e lartë e transportit dhe politikat e dobëta energjetike po e zhytin Kosovën në një krizë që do të paguhet nga konsumatorët. Demokracia.com sjell detaje lidhur me skandalin që ka të bëjë me izolimin energjetik të Kosovës.
Krahasuar me vitin e kaluar kur kostoja e rrugës tregtare energjetike arrinte vetëm 2-3 milionë euro, këtë vit kjo shumë ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme, duke arritur në 30 milionë euro. Projeksionet tregojnë se vitin e ardhshëm kjo shifër do të arrijë në 40 milionë euro. Përfundimisht, këto kosto të majme do të mbulohen nga konsumatori kosovar përmes rritjes së tarifave të energjisë, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në prill të këtij viti.
Pse ka ndodhur kjo situatë?
Kosova disponon linja transmetimi me të katër vendet fqinje – Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat menaxhohen nga KOSTT-i për pjesën që i përket Kosovës.
Këto linja shërbejnë për shkëmbimin dhe transferimin e energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera, duke mundësuar lidhjen e tregut energjetik të Kosovës me atë ndërkombëtar. Për pjesën që i përket Kosovës, këto linja menaxhohen nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT). Rëndësia e këtyre linjave është jetike, pasi ato garantojnë furnizimin e pandërprerë me energji, stabilitetin e rrjetit dhe qasjen në tregjet rajonale e më gjerë. Ndërprerjet ose kufizimet në këto linja ndikojnë drejtpërdrejtë në koston dhe furnizimin me energji për konsumatorët.
Problemet janë përshkallëzuar më tej pas krijimit të bursës energjetike ALPEX, një iniciativë e përbashkët e KOSTT-it dhe OST-së së Shqipërisë. Dy linjat e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri (400 kV dhe 220 kV) janë vënë ekskluzivisht në shërbim të ALPEX-it, duke bllokuar plotësisht qasjen e Kosovës për kalimin e energjisë jashtë kësaj berze. Si rezultat, lidhjet e Kosovës përmes Shqipërisë drejt tregjeve italiane, greke, maqedonase dhe malazeze janë mbyllur plotësisht.
Aktualisht, Kosova ka qasje vetëm në dy linja transmetimi: përmes Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Kjo reduktim drastik, nga gjashtë linja në vetëm dy, ka ngarkuar ndjeshëm kapacitetet ekzistuese, duke rritur koston e përdorimit të rrugëve tregtare nga 2-3 milionë euro në vit, në 30 milionë me 2024 dhe, siç ka kuptuar Demokracia.com, në 40 milionë euro nw vitin 2025.
Kufizimi i qasjes së Kosovës vetëm në dy linja transmetimi nuk duket të jetë thjesht një çështje teknike, por një vendim i dyshimtë që mund t’i shërbejë interesave të caktuara. Një nga këto linja është ajo me Malin e Zi, nga ku vjen edhe ambasadori Martin Berishaj, i njohur për përfshirjen e tij në afera energjetike që lidhen me kompaninë GEN në Beograd.
Transporti i energjisë, më i shtrenjtë se vetë importi
Sipas burimeve të Demokracia.com, Kosova ka paguar deri në 400 euro për transportin e çdo megavati të energjisë. Pra, kostoja e transportit tejkalon shumëfish çmimin e vetë importit të energjisë. Paradoksi qëndron në faktin se linjat Kosovë-Shqipëri nuk po përdoren fare, për shkak të politikave të KOSTT-it dhe qeverisë, të cilat i kanë vënë këto linja ekskluzivisht në shërbim të tregtarëve të energjisë.
Kjo situatë alarmante do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në faturat e konsumatorëve.
Nëse bëjmë një krahasim, me rritjen e pritshme të tarifave në prill, qytetarët kosovarë do të paguajnë deri në gjashtë herë më shumë për energjinë elektrike.
Pse nuk ka vepruar shteti?
Ndërsa Serbia ka bllokuar linjat ndërkombëtare të transmetimit, as Qeveria e Kosovës dhe as KOSTT nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për të përdorur të drejtën e tyre në kuadër të ENTSO, duke detyruar Serbinë të zhbllokojë trasetë ndërkombëtare. Përkundrazi, KOSTT, përmes ALPEX-it ka bllokuar edhe dy linjat kryesore me Shqipërinë, duke e bërë situatën edhe më të rëndë për konsumatorin kosovar.
Në këtë kaos, tregtarët e energjisë janë përfituesit kryesorë. Sipas parashikimeve, vetëm këtë vit dhe vitin e ardhshëm ata pritet të fitojnë deri në 70 milionë euro shtesë në kurriz të qytetarëve të Kosovës.
Çfarë pasojash do të ketë për konsumatorët?
Me rritjen e pandalshme të kostove të importit dhe transportit të energjisë, qytetarët e Kosovës jo vetëm që do të përballen me tarifa më të larta, por edhe me një mungesë të dukshme të transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet përgjegjëse. Kjo situatë e krijuar nga politikat joefikase dhe neglizhenca institucionale, po i zhyt konsumatorët në një krizë energjetike të panevojshme dhe shumë të kushtueshme. /Demokracia.com/