Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e drejtuar nga Donika Gërvalla-Schwarz, prej disa muajsh ka lënë në pritje dhjetëra persona për kryerjen e shërbimeve diplomatike. Arsyeja kryesore është se ministria ende nuk ka arritur të lidhë një kontratë për shërbimet postare diplomatike, shkruan Demokracia.com.
MPJD ka vendosur kritere të reja në tenderin për “Shërbimet postare diplomatike”, të cilat dyshohet se janë hartuar me qëllimin e vetëm për të përjashtuar një kompani specifike – A.L. Dushi Sh.P.K. Kjo kompani, që më parë kishte pasur një kontratë me MPJD-në, u përball me shkëputjen e saj nga ana e ministrisë me arsyetimin se nuk kishte përmbushur detyrimet kontraktuale. Gjithashtu, gjatë periudhës së bashkëpunimit, ka dyshime se janë humbur pasaporta diplomatike.
Që nga ndërprerja e kontratës në verën e vitit të kaluar, ministria ka mbetur pa një operator të shërbimeve postare diplomatike, ndonëse ka bërë përpjekje për të lidhur një kontratë të re. A.L. Dushi Sh.P.K. ka konkurruar në secilin tender të hapur nga MPJD dhe ka ofruar çmimin më të ulët, por ministria ka gjetur arsye për ta eliminuar atë, duke anuluar tenderët.
Në tenderin e ri, të publikuar më 8 janar 2025, MPJD ka përfshirë një kërkesë të veçantë, e cila nuk ishte pjesë e asnjë tenderi të mëparshëm për këtë shërbim: operatori ekonomik duhet të ketë flotën e vet të transportit (tokësore dhe ajrore), pa e nënkontraktuar atë nga ndonjë kompani tjetër, përfshirë edhe fluturimet komerciale të pasagjerëve. Si dëshmi, tenderi kërkon konfirmim të vulosur nga zyra ndërkombëtare e operatorit ekonomik, përgjegjëse për tregun e Kosovës.
Ky kriter ka ngjallur shqetësime, veçanërisht nga A.L. Dushi Sh.P.K., e cila më 17 janar 2025 ka paraqitur një kërkesë për rishqyrtim pranë MPJD-së, duke argumentuar se ky kriter është i padrejtë dhe favorizon vetëm një kompani në treg – 3P SHPK-DHL. Kjo kompani është e vetmja që mund të përmbushë kushtin e përcaktuar nga MPJD, ndërsa operatorët e tjerë nuk kanë alternativa të barabarta për konkurrim.
Pavarësisht ankesës, më 20 janar 2025, ministria e ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim, duke argumentuar se përvoja e saj me A.L. Dushi Sh.P.K. ka qenë negative dhe se vendosja e këtij kriteri synon të shmangë problemet e mëparshme. Në vendimin e saj, ministria thekson se ky operator është konsideruar i papërgjegjshëm për shkak të moszbatimit të kontratës dhe, për këtë arsye, është vendosur një kriter më i rreptë për të garantuar përmbushjen e saktë të shërbimeve të kërkuara.
Në ankesën e saj të dytë, dorëzuar pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) më 30 janar 2025, A.L. Dushi Sh.P.K. ka pretenduar se MPJD nuk ka ndjekur procedurat e rregullta për përjashtimin e një operatori nga garat e prokurimit, por në vend të kësaj ka vendosur kritere të personalizuara për të kufizuar pjesëmarrjen e saj. Sipas kompanisë, nëse MPJD vërtet e konsideron këtë operator të papërshtatshëm për shkak të përvojave të mëparshme, atëherë do të duhej të ndiqte procedurën ligjore për përjashtim nga prokurimi, në vend që të vendoste kritere që dëmtojnë konkurrencën.
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), ky veprim mund të jetë në kundërshtim me nenin 7, paragrafin 2, i cili ndalon çdo masë që redukton apo eliminon konkurrencën mes operatorëve ekonomikë dhe favorizon një kompani në mënyrë të padrejtë. Gjithashtu, neni 28, paragrafi 2, ndalon hartimin e specifikimeve teknike që krijojnë avantazh për një kompani të caktuar.
Konkretisht, ky kriter favorizon vetëm 3P SHPK-DHL, e cila është përfaqësuesja e vetme e DHL në Kosovë dhe ka flotën e saj të transportit. Duke qenë se vetëm tre kompani ndërkombëtare ofrojnë shërbime postare të shpejta në Kosovë (UPS, DHL dhe FedEx/TNT), vendosja e një kërkese specifike që vetëm njëra prej tyre mund ta përmbushë de facto e kthen këtë tender në një kontratë me burim të vetëm, duke kufizuar konkurrencën.
Tashmë, ky rast ka kaluar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili duhet të shqyrtojë nëse specifikimet e përcaktuara nga MPJD janë të ligjshme apo diskriminuese. Nëse OSHP vlerëson se MPJD ka vepruar në kundërshtim me ligjin, tenderi mund të kthehet për rishikim ose të anulohet plotësisht. Në të kundërtën, nëse kriteri mbetet në fuqi, atëherë vetëm një kompani do të mund të shpallet fituese, duke ngritur dyshime serioze për favorizim dhe mungesë të konkurrencës efektive në tregun e shërbimeve postare diplomatike në Kosovë.
Demokracia.com ka gjetur se MPJD, përpara se të vendoste këtë kriter të ri, që duket qartë se synon të eliminojë një kompani specifike – kishte bërë përpjekje për ta larguar A.L. Dushi Sh.P.K. përmes OSHP-së. Më 27 dhjetor 2024, ministria kishte kërkuar futjen e kësaj kompanie në “listën e zezë”, por Bordi i OSHP-së e refuzoi këtë kërkesë, duke argumentuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për një masë të tillë. Në listën e zezë mund të përfshihen vetëm kompanitë që kanë ofertuar me dokumente të falsifikuara ose kanë kryer shkelje të rënda ligjore.
Pas dështimit për ta përjashtuar përmes OSHP-së, ministria vendosi kritere specifike në tender, me të cilat synon të eliminojë A.L. Dushi Sh.P.K., e cila ka ofruar çmime shumë më të ulëta se 3P SHPK-DHL, e cila ka dorëzuar një ofertë disa herë më të shtrenjtë. Për këtë arsye, se ministria duhej të drejtohej në Gjykatën Komerciale, pasi organet përkatëse të prokurimit nuk kanë gjetur bazë ligjore të mjaftueshme për përjashtimin e A.L. Dushi Sh.P.K. nga tenderët.
MPJD-ja është ‘bombarduar’ me kërkesa për pajisje të dokumenteve të udhëtimit nga diaspora. Lidhur më këtë Demorkacia.com ka raportuar që para katër muajve, ndërkohë që akoma nuk është lidhur kontratë e re.
Për ndryshe, në të kaluarën kompania A.L. Dushi Sh.P.K ka qenë thuajse kontraktor i rregullt i ministres Gërvalla.
Por, dukët se pas thyerjeve të raporteve në mes presidentes dhe ministres ka bërë që të acarohen raportet dhe më kompaninë.
Demorkacia.com kishte raportuar se, pronare e kësaj kompanie është Xhylizare Selimi-Dushi e cila është shoqe e afërt e Blinera Osmanit, motrës së të parës së shtetit, por ka miqësi edhe me vetë presidenten Osmani.
Në fotografitë që ka siguruar Demokracia.com, motra e Osmanit shihet nën shoqëri të afërt me Xhylizare Selimi-Dushi.
Po ashtu, me Selimi-Dushin ka fotografi të përbashkët edhe vetë presidentja Vjosa Osmani. Ato shihen duke pirë kafe e çaj nën shoqërinë e njëra-tjetrës. /Demokracia.com/