Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i Bashkimit Evropian ka publikuar raportin monitorues rreth procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Përkundër se procesi zgjedhor në tërësi është cilësuar si i qetë, BE-ja gjatë monitorimit të saj ka hasur në implikimin e dy mediave ruse.
“RT Ballkan” dhe “Sputnik Srbija” të mbështetura nga Rusia, thuhet se kanë pasur “gisht” në procesin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Sipas raportit të misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve nga BE (EU EOM), “RT Ballkan” dhe “Sputnik Srbija” kanë filluar publikimin e artikujve për zgjedhjet në Kosovë që nga fillimi i fushatës zgjedhore, në janar.
Siç theksohet në raportin e BE-së, këto dy media, të financuara nga Rusia, kanë publikuar rreth 60 artikuj të ndryshëm për zgjedhjet.
Raportimet nga “RT Ballkan” dhe “Sputnik Srbija” kishin të bënin kryesisht me pretendime për manipulime kundër komunitetit serb.
Megjithatë sipas raportit theksohet se ndikimi i tyre ishte i vogël, për shkak se të njëjtat operojnë vetëm në rrjetin social X.
“Që nga fillimi i janarit, RT Balkan dhe Sputnik Srbija të mbështetura nga Rusia kanë publikuar rreth 60 artikuj për zgjedhjet, disa me narrativa që pretendonin për manipulime kundër komunitetit serb. Shtrirja e tyre në mediat sociale është e kufizuar nga fakti se ato janë të pranishme vetëm në X, dhe postimet e tyre rrallëherë arrijnë të kenë më shumë se 2,000 përdorues”, thuhet në raportin e BE-së.
Për dallim nga ‘implikimi’ i këtyre dy mediave, në raportin e BE-së theksohet se fushata në mediat sociale është zhvilluar në mënyrë të rregullt.
Bazuar në reklamimet dhe fushatat në mediat zgjedhore thuhet se partitë politike kanë shfrytëzuar mbi 250 mijë euro për reklamim në Facebook dhe Instagram.
“Reklamat në Facebook dhe Instagram u përdorën gjerësisht nga partitë politike, nga shumë kandidatë dhe nga disa faqe të mbështetësve dhe mediave. Mbi €250,000 u shpenzuan për promovimin e më shumë se 7,000 reklamave lidhur me zgjedhjet në Facebook dhe Instagram, duke përfshirë reklama negative nga palët e treta”, thuhet në raportin e BE-së.
Në përgjithësi vëzhguesit e procesit zgjedhor të Bashkimit Evropian e kanë cilësuar të qetë dhe dinamik ciklin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.