Asnjë lëvizje në faqen e KQZ-së, përditësimi i fundit ndodhi me 12 shkurt

Kanë kaluar pesë ditë që nga dita e zgjedhjeve në Kosovë. Pasi përfundoi ky proces, u mendua se për pak kohë merr fund gjithçka. Që nga ajo ditë e deri më sot në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk u përmbyll procesi dhe publikimi i rezultateve finale nga numërimi i votave nëpër komunat e Kosovës.

Hera e fundit kur u rifreskuan të dhënat në këtë faqe ishte data 12 shkurt, dy ditë përpara.

Asgjë më nuk ka lëvizur, derisa përqindja e numërimit të votave mbetet e njëjtë. 99.72 përqind.

Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës, të cilat, siç thonë disa, ia kanë zbehur besueshmërinë gjithë procesit.

Vetë KQZ-ja ka thënë më 12 shkurt se i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për të ofruar mbështetje teknike, teksa ka siguruar se, pavarësisht gjithë kësaj situate, integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet do të jenë të sakta.

Edhe ish-zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se njëmend është vështirë të manipulohet me vota, por e keqja e gjithë kësaj është humbja e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.