Kryediplomatja e re por qasja nuk ndryshon – Kallas i kërkon Kurtit e Vuçiç-it zbatimin e Marrëveshjes Bazike

Zbatimi i Marrëveshjes Bazike (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023), është çelësi i anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian, ka thënë Përfaqësuesja e re Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke rikonfirmuar se do të vazhdojë linjën e njëjtë të paraardhësit të saj, Josep Borrell, sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd.

Ardhja e ish-kryeministres estoneze në krye të diplomacisë evropiane ka shtuar optimizmin tek liderët e Kosovës, për shkak se presin një qasje më të balancuar të politikës së BE-së në raport me Prishtinën, posaçërisht sa i përket dialogut me Serbinë, pasi që parapraken, atë të Borrell-it, e kanë konsideruar si të pabalancuar.

Por, në takimet e para që Kallas pati me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, dy ditë pasi që mori mandatin e kryediplomates evropiane, kërkoi atë që ka kohë që Unioni e kërkon: zbatimin e Marrëveshjes Bazike.

“Anëtarësimi në BE mund të arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, duke u bazuar në Marrëveshjen e Ohrit”, tha Kallas të martën, përmes një postimi në platformën X.

Përveç kësaj, në njoftimin e shkurtër të saj për takimet me Kurtin e Vuçiç-in, ajo përshëndeti gatishmërinë e tyre për “bashkëpunim të plotë” pas sulmit të fundit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

“Autorët duhet të dalin para drejtësisë”, shkroi kryediplomatja evropiane, duke ripërsëritur kërkesën e Borrell-it, që e bëri të shtunën.

Për zbatimin e Marrëveshjes Bazike ka folur edhe kryeministri Kurti, pas takimit me Kallas-in.

Kreu i ekzekutivit, siç citohet nga zyra e kryeministrit, i ka thënë kryediplomates evropiane se sa herë që të flitet për dialogun Prishtinë-Beograd, duhet të përmendet fakti që ka një Marrëveshje Bazike, për të cilën ka theksuar se vazhdimisht shkelet nga Serbia.

“Në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri theksoi rëndësinë që sa herë të flitet për dialogun si proces të përmendet fakti që ka një Marrëveshje Bazike e cila ka një Aneks të Zbatimit, por që në vazhdimësi shkelet nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Kurti, siç citohet nga ZKM-ja, ka theksuar se Marrëveshja Bazike duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet dhe se garanci për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj, transmeton albanianpost.

Duke folur para mediave nga Brukseli për takimin me Kallas-in, kryeministri Kurti, ka bërë të ditur se i ka kërkuar asaj që Serbia ta dorëzojë kryekriminelin Milan Radojiçiç – personi i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiç-it tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqesh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, ka thënë Kurti.

Sa i përket Kallas-it, kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se shefja e re diplomacisë së BE-së është në “kohën e duhur” dhe në “vendin e duhur”.

“Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, potencoi.

Nga ana tjetër, presidenti serb Vuçiç ka thënë se Kallas i ka kërkuar zbardhjen e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Përmes një postimi në Facebook, Vuçiç e ka cilësuar “të vështirë” takimin e parë me Kallas-in në krye të diplomacisë evropiane.

“Një bisedë e hapur dhe e vështirë. Folëm për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa Përfaqësuesja e Lartë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, ka shkruar Vuçiç.

Akorduar fillimisht më 27 shkurt 2023 në Bruksel, dhe më pas për aneksin sqarues më 18 mars të atij viti në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës e presidentit serb ishte një marrëveshje ku përmes 11 neneve Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.