Tubimi pro pushtetit në Serbi, si kundërpërgjigje ndaj protestave disa mujore të studentëve, nisi të premten më 11 prill dhe do të zgjas deri më 13 prill.
Një numër i madh i autobusëve janë parë të shtunën në pikë kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilët po udhëtojnë drejt Beogradit.
Qindra serbë nga Kosova po udhëtojnë drejt Beogradit për të marrë pjesë në tubimin e mbështetësve të pushtetit në Serbi, të titulluar “Ne nuk do të heqim dorë nga Serbia”.
Sipas mediumit serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, kolona të gjata të autobusëve e automjeteve janë krijuar në pikë kalimin kufitar në Jarinje e Merdar.
Tubimi pro pushtetit në Serbi, si kundërpërgjigje ndaj protestave disa mujore të studentëve, nisi të premten më 11 prill dhe do të zgjas deri më 13 prill.
Më 8 prill, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ftoi qytetarët të marrin pjesë në tubimin tre ditor. Ftesën për tubim ai e bëri në emër të lëvizjes që sapo ka formuar të quajtur “Lëvizja për Popullin dhe Shtetin”.
Tubimet nga 11 deri më 13 prill do të mbahen në kohën kur për muaj të tërë Serbia po përballet me protesta masive të organizuara nga studentët, që po kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet për tragjedinë në Novi Sad.
Në ceremoninë hapëse të tubimit, të premten, mori pjesë edhe Vuçiç. Tubimi u mbajt në qendër të Beogradit. Në tubim morën pjesë edhe kryeministri në detyrë, Millosh Vuçeviç, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç dhe figura të tjera politike.
