Sot u shënua 36-vjetori i grevës së madhe të minatorëve të vitit 1989 në Stan Tërg.
Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai the se Trepça nuk është thjesht një ndërmarrje, se ajo është shtylla e mijëra familjeve që çdo mëngjes mbështeten te puna e saj, duke krijuar një zinxhir që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm.
“Trepça ka ndihmuar edhe arsimin nëpërmjet zhvillimit. Pas Luftës së Dytë Botërore u themelua Shkolla e Mesme Teknike në Mitrovicë, e para e këtij lloji në Kosovë, qysh në vitin 1946, për përgatitjen e teknikëve profesionalë për Trepçën”. Në vitet 1961-’62 u hap Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë, duke u futur seksionet e xehetarisë dhe më vonë të metalurgjisë dhe të kimisë e në vitin 1974 u themelua Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë, që u bë qendër e rëndësisë akademike për zhvillimin industrial të Kosovës”, u shpreh kryeministri.
Krahas zhvillimit të arsimit, kryeministri theksoi edhe rolin e rëndësishëm të Trepçës në zhvillimin e industrisë, si burimi kryesor i përpunimit të metaleve dhe furnitor me material bazë në dhjetë fabrika anembanë Kosovës. Historia ekonomike dhe politike e Kosovës nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Trepçës, tha ai, teksa listoi fabrikat që dikur furnizoheshin me material bazë nga Trepça.
Duke folur për grevën e madhe të minatorëve të vitit 1989, ai veçoi pikën 8 nga 10 kërkesat e minatorëve e cila thoshte “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”, pra të ndërkombëtarizohej çështja e Kosovës dhe shqiptare në ish-Jugosllavi në përgjithësi. /Klankosova.tv