KQZ-ja s’jep afat se kur mund të përfundojë procesi i numërimit të votave për deputetë

Në Qendrat Komunale të Numërimit është duke vazhduar procesi për evidentimin e votave për kandidatët për deputetë.

Kjo u tha në një konferencë për media nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai nuk dha ndonjë afat se kur mund të përfundojë ky proces.

“Sa i përket çështjes se sa merr kohë numërimi i një kutie të votimit, kjo është e lidhur direkt me pjesëmarrjen e votuesve në një vendvotim të caktuar. Dmth, vendvotimet që kanë numër më të lartë vonohen më shumë. Duke i shtuar kësaj radhe edhe faktin se për herë të parë, votuesit kanë mundur të përzgjedhin deri në 10 kandidatë, kjo merr kohë në evidentim dhe të gjithë procesin e numërimit”, deklaroi Elezi, raporton Klankosova.tv.

Ai tha se një ekip apo tavolinë numërimi mund të numërojë deri në dy kuti brenda dite në rast se kemi pjesëmarrje relativisht mesatare. Kur pjesëmarrja është më e madhe, ai tha se duhet më shumë kohë për numërim.

Ndër të tjera, Elezi tha se në komunat Lipjan, Obiliq dhe Partesh, procesi i numërimit ka shkuar pa ndonjë problem, ndërsa theksoi se në Prishtinë ka pasur herë pas here pengesa.

Ai nuk dha ndonjë informacion as edhe për numrin e vendvotimeve që janë numëruar deri më tani, teksa shtoi se për këtë do të ketë informata më vonë.

Po ashtu, zëdhënësi i KQZ-së tha se në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), përpos procesit të numërimit të votave për deputetë, bëhet edhe procesi i verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

“Ky verifikim është i paraparë me aktet ligjore të KQZ-së, me rregullën zgjedhore të QKN”, potencoi ai.

Elezi tha se për KQZ-në, rëndësi ka saktësia e rezultateve, e jo vetëm shpejtësia e publikimit të tyre.

“Pra, menjëherë pasi të përfundon procesi i numërimit në QKN, është faza tjetër e procesit që do të jetë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”, potencoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.