Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se si KQZ nuk kanë informata zyrtare se çfarë ka ndodhur me një pjesë të votave të diasporës në Zagreb.
Kjo deklaratë e tij në mbledhjen e KQZ-së vjen pas raportimeve se ambasadori Martin Berishaj i ka marrë votat nga kutitë postare në Zagreb, dhe i ka dërguar në ambasadë.
“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave. Zyrtarisht nuk e dimë çka ka ndodhur, kjo mbetet që të vërtetohet. Stafi i secilës ambasadë është emëruar që të jetë pjesë e tërheqjes së këtyre, por se si ka shkuar aty procedura nuk e di”, ka thënë ai.
Në lidhje me këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë nisur hetimet.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”.
“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligj-zbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim. /EO