Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, po e sheh Vetëvendosjen në Opozitë!
Ai bazohet në diskursin e liderëve të partive garuese për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke përjashtuar çdo opsion bashkëpunimi ndërmjet opozitës së sotme dhe partisë në pushtet, raporton Klankosova.tv.
“Gjasat për një qeveri nga LVV pas 9 shkurtit po shuhen. Gjuha dhe pozicionet që po përdoren ditët e fundit duket sikur po e largojnë pushtetin dhe opozitën nga njëri-tjetri. Dikush mund të thotë që kjo është një strategji elektorale në ditët e fundit të fushatës për të mobilizuar sa më shumë elektoratin”, ka shkruar Muharremi në rrjetin e tij social në facebook.
Sipas tij, ka indikacione që kjo tashmë mund të jetë një fakt real.
“Dje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishte kategorik që nuk do të bëjë koalicion me LVV-në e Albin Kurtit pas zgjedhjeve. Ai nuk është një person, së paku nuk ka qenë deri më tani, që thotë diçka kaq kategorikisht dhe më pas e mohon apo vepron ndryshe. Insistimi i tij se do ta mbajë fjalën dhe premtimin e tij “me karrierë politike” duket se nuk është blof. Kjo e komplikon situatën”, shrkoi analisti.
Ai shton se këtë e “betonon” edhe gjuha e përdorur nga Albin Kurti i LVV-së, e cila po eskalon kohët e fundit. Ai nuk po lejon shumë hapësirë, me stilin dhe pozicionet e tij, për bashkëpunim. “O krejt, o asgjë!”, kjo është strategjia e tij, thotë Muharremi, duke përmendur sejanë disa parakushte tepër të vështira për LVV për të formuar qeverinë pas 9 shkurtit.
“LVV duhet të fitojë së paku 46% të votave më 9 shkurt për të qenë në gjendje të krijojë një qeveri me pakicat, një qeveri me pak numra dhe aspak stabile. Por gjasat që LVV të marrë kaq shumë vota janë absolutisht minimale. As në teori, e as në praktikë nuk shihet një rezultat i tillë”, vazhdon Shenoll Muharremi.
Sipas analizës së tij, LVV, me shumë gjasë, nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.
“Kjo për shkak se: Nuk duket se do t’i fitojë 46% të votave;
-LDK nuk do të hyjë në koalicion me të;
-LVV nuk dëshiron një koalicion me ndonjë parti tjetër të opozitës.
Prandaj, sipas të gjitha gjasave, LVV do të përfundojë në opozitë”, përfundon Muharremi.
Prandaj, sipas të gjitha gjasave, LVV do të përfundojë në opozitë”, përfundon Muharremi.