Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ofruar shërbime për mbi 96 mijë pacientë gjatë vitit 2024, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas drejtorit të Klinikës Emergjente, Naser Syla, numri i rasteve të trajtuara është rritur me rreth 20 mijë pacientë, ndërsa dominuan aksidentet e komunikacionit dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Syla tha për Ekonomia Online se ky fluks i madh i pacientëve është një sfidë jo vetëm për Klinikën Emergjente, por për të gjithë QKUK-në, duke vënë në vështirësi menaxhimin e shërbimeve shëndetësore.
Një ndër problemet kryesore, sipas drejtorit mbetet mungesa e filtrimit të pacientëve, pasi një numër i madh i tyre kërkojnë trajtim në Klinikën Emergjente pa referim të mirëfilltë.
“Qendra emergjente është e stërngarkuar nga numri i pacienteve. Këtë vit trajtim në Qendrën Emergjente kanë kërkuar 96 mijë e 294 pacient, diku mbi 20 mijë pacient më tepër se sa vitin e kaluar. Vitin e kaluar kanë qenë 94 mijë e 300, këtë vit gati 20 mijë më tepër. Këtë numër të mjekëve që e kemi është një sfidë për të gjithë stafin, jo vetëm për Qendrën Emergjente por edhe për QKUK-në që të menaxhohet edhe që të merr shërbim adekuat ky numër kaq i madh i këtyre pacienteve. Në Qendrën Emergjente frekuentojnë pacientë pa kurrfarë filtri, as referimi të mirëfillte”, tha Syla.
Ai vë në pah faktin se 40 për qind e pacientëve nuk janë raste që realisht duhet të trajtohen në këtë klinikë.
Syla theksoi se mjekët e këtij institucioni shpesh detyrohen të kryejnë punë që në kushte normale duhet të trajtohen në nivele të tjera të sistemit shëndetësor.