Në maj të vitit 2022, qeveria publikoi një plan qeverisës 2021-2025 prej 60 faqesh, ku shëndetësisë iu kushtua vetëm një faqe. Brenda kësaj hapësire modeste, premtimet përfshinin riorganizimin e sektorit, funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore, dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Por, sa nga këto janë bërë realitet? Qytetarët, që përballen çdo ditë me mungesën e barnave esenciale, radhët e gjata në spitale dhe mungesën e kujdesit bazik, janë dëshmitarët më të mirë të një plani të mbetur vetëm në letër.
Një nga premtimet më të rëndësishme – sigurimet shëndetësore, nuk ka marrë as hapin e parë drejt zbatimit. Në strategjinë qeveritare shkruhej për ndryshimin e Ligjit për Sigurim Shëndetësor, krijimin e kapaciteteve të reja administrative dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për fillimin e grumbullimit të kontributeve. Por ky proces mbetet një ëndërr e largët, pa asnjë shenjë konkrete që qytetarët do të përfitojnë nga një sistem sigurimesh funksional brenda këtij mandati.
“Një nga prioritetet më të rëndësishme në sistemin shëndetësor është ndryshimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor dhe fuqizimi i kapaciteteve administrative njerëzore dhe infrastrukturore në Fondin për Sigurime Shëndetësore, si kushte për fillimin e
grumbullimit të kontributeve. Këtë proces do ta zhvillojmë në të njëjtën kohë me kompletimin e Sistemit Informativ Shëndetësor dhe hartimin e udhërrëfyesve klinikë. Po ashtu, për këtë qëllim, do të kompletojmë legjislacionin dytësor për zbatimin e lirimit nga pagesa e premiumeve, bashkëpagesat dhe bashkëfinancimin për shërbime shëndetësore, skemën e barnave jashtë spitalore, kontraktim të barnatoreve dhe trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike”, thuhet aty.
Përtej sigurimeve shëndetësore, strategjia përfshinte edhe:
- Riorganizimin e sektorit shëndetësor: Rishikimi i kornizës ligjore dhe reformimi i shëndetësisë mbeten të papërfunduara. Sistemi i integruar i kujdesit shëndetësor, një tjetër premtim ambicioz, nuk është funksionalizuar.
- Cilësia e shërbimeve: Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore ishte një tjetër pikë kyçe, por qytetarët vazhdojnë të hasin në kushte të pamjaftueshme trajtimi, sidomos në rajonet më të largëta.
- Lufta kundër sëmundjeve: Kapacitetet për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse nuk janë fuqizuar siç u premtua.
Në vend të një sistemi modern dhe gjithëpërfshirës shëndetësor, qytetarët përballen me një realitet të zymtë. Radhët e gjata në QKUK dhe mungesa e kujdesit paliativ janë dëshmi e një sektori që lëngon nga mungesa e investimeve dhe reformave serioze. /Demokracia.com/