SHARE:
Punët shtesë në ndërtimin e Rrugës A kanë shkaktuar përplasje të ashpra mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Sallahu”. Mosmarrëveshjet për çmimet e propozuara kanë çuar në anulime të njëpasnjëshme të negocimeve, duke rrezikuar seriozisht përfundimin e këtij projekti, i cili konsiderohet ndër më të rëndësishmit për infrastrukturën e kryeqytetit. Megjithatë, pas një sërë tensionesh, komuna dhe kompania më në fund kanë arritur një marrëveshje, e cila përsëri kërkon një auditim, shkruan Demokracia.com.
Kompania “Sallahu”, e cila është kontraktori kryesor për ndërtimin e Rrugës “Xhim Xhema”, ka pasur një proces të ngjashëm me një “pazar të gjatë” me Komunën e Prishtinës lidhur me punët shtesë të projektit. Fillimisht, komuna konstatoi se këto punë kapnin vlerën prej 116,705.33 euro, ndërsa kompania këmbëngulte për një shumë të lartë, plot 500 mijë euro. Pas dështimit të negociatave të para, komuna hapi një tender të ri të negociuar, duke e rritur vlerën e saj në 170 mijë euro, ndërkohë që kompania “Sallahu” kërkoi plot 800 mijë euro. Ky tender, gjithashtu, përfundoi i anuluar për shkak të mungesës së pajtimit mes palëve.
Në ditët e fundit të vitit dhe pas tensioneve të gjata, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje me kompaninë për një kontratë me vlerë 170 mijë europër punët shtesë, të cilat janë përfshirë në 14 pozicione specifike.
Kjo marrëveshje vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për të shmangur dështimin e projektit dhe për të siguruar zbatimin e tij pa vonesa të mëtejshme.
Ndërtimi i Rrugës A është një nga projektet më të mëdha dhe “krenaria” e Komunës së Prishtinës. Pothuajse çdo javë, ndonjë zyrtar komunal publikon fotografi ose video nga punimet, duke pretenduar se ato po zhvillohen me cilësi të lartë dhe dinamikë të kënaqshme.
Rruga A po shfaqet si një projekt problematik. Demokracia.com ditë më parë raportoi se për herë të dytë kanë dalë punë shtesë, një dukuri e rrallë në projekte të tilla. Shuma e parashikuar për punët shtesë është rritur dukshëm, çka kishte shkaktuar mosmarrëveshje me kompaninë zbatuese, “Sallahu”, e cila është në partneritet me “ALTIS-CONSTRUCTION”.
Ligji i Prokurimit Publik lejon që për punët e paparashikuara të lidhen kontrata me negocim, por vlera e tyre nuk duhet të kalojë 10 për qind të kontratës bazë.
“Sallahu”, nga mbi 500 mijë euro e kishte ngritur çmimin në mbi 800 mijë, ndërsa komuna kishte vendosur një shumë vetëm prej 170 mijë eurove.
Bazuar në kontratën e parë, komuna e kishte parashikuar vlerën e këtyre punëve shtesë në 116,705.33 euro, ndërsa kompania Sallahu kishte propozuar një çmim prej 554,226.75 euro për të njëjtat punë.
“Komuna e Prishtinës, bazuar në dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik, Rregulloren për Rregullat dhe Operacionet e Prokurimit (RROUP), si dhe kriteret e dosjes së tenderit, rekomandon anulimin e aktivitetit të prokurimit në përputhje me nenin 43.7 të Rregullores nr. 001/2022, për shkak se të gjitha ofertat e përgjegjshme përmbajnë çmime që tejkalojnë buxhetin e Autoritetit Kontraktues”, thuhet në vendimin e para disa ditësh për anulimin e këtij tenderi, që ishte menduar të lidhte një kontratë me negocim.
Njëjtë thuhet edhe tash në anulimin e negocimit të fundit.
Kjo situatë është e pazakontë për Komunën e Prishtinës, sepse nëse dëshiron të përfundojë punët sipas planit, do të duhet të lidhë një kontratë me një operator tjetër ekonomik, nëse ky i fundit pranon ofertën e komunës. Problemi më i madh do të ishte sesi do të integrohej një kompani e re në projektin ekzistues, ku tashmë po punon një tjetër kompani. Kjo situatë është e paparashikuar për komunën, përveç nëse ka një marrëveshje të fshehtë me operatorin aktual për të nënshkruar përsëri me të, por me çmimet e propozuara nga ai.
Kjo nuk ishte hera e parë që komuna tentoi të lidhë një kontratë për punë shtesë për të njëjtin projekt dhe me të njëjtin operator. Më 29 gusht 2023, ishte nënshkruar një kontratë në vlerë 20 mijë euro për punë shtesë në projektin e njëjtë. Në atë kontratë të parë të negociuar, punët shtesë përfshinin vetëm një pozicion, largimin e ujit nga kanali gjatë gërmimit. Ky shërbim ishte llogaritur për 1,000 orë shtesë, me një çmim prej 20 euro për orë, që i dha një vlerë totale prej 20 mijë euro.
Më 24 prill 2023 ishte nënshkruar kontrata për ndërtimin e pjesës së parë të Rrugës A ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe kompanive “Sallahu SH.P.K.” dhe “ALTIS-CONSTRUCTION L”, me një vlerë prej 8,497,801.66 euro.
Ndërtimi i shumëpërfolur i rrugës se njohur edhe si “Xhim Xhema” ka nisur në prill të vitit të kaluar. Punët nuk pritet të përfundojnë sipas planit dinamik, ngase ka pasur disa telashe nga vendimet e lëshuara nga Gjykata Komerciale për ndalje të punimeve.
Kohëzgjatja e kontratës ka qenë 240 ditë.
Tenderi është dhënë me procedurë të kufizuar, që nënkupton se secili operator ekonomik mund të kërkojë të marrë pjesë dhe ku vetëm ata operatorë ekonomikë të ftuar nga autoriteti kontraktues mund të dorëzojnë një tender. Kontrata është nënshkruar më 24 prill dhe nuk pritet të përfundojë në afat, ngase Gjykata Komerciale dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit janë ballafaquar me disa seanca për shkak të dyshimeve se ky i fundit kishte marrë vendim kundërligjshëm në favor të kompanisë së rekomanduar nga Komuna e Prishtinës, duke i lejuar kështu edhe komunës nënshkrimin e kontratës.
AVONET, e cila bën monitorimin e procedurave tenderuese kishte monitoruar aktivitetin e prokurimit ”Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë”.
Kjo organizatë kishte thënë se gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prishtinës kishte identifikuar se Naim Sallahu, pronari i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k., ka aktgjykim të formës së prerë dhe është fajtor për kryerjen e veprës penale: falsifikim i dokumentit zyrtar nga neni 398, par. 2 KPRK- së, me nr. të lëndës PKR. Nr. 16/2018 të datës 30.03.2018 të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Andaj bazuar në Ligjin NR. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, përkatësisht në nenin 65, paragrafin 3, i cili përcakton se: “Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile, duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”, kishte thënë AVONET.
Kjo organizatë, duke parë se OE “Sallahu” sh.p.k me ish-pronar Naim Sallahun tashmë ka një aktgjykim të formës së prerë sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës, konsideron se këtij operatori ekonomik iu ndalohet e drejta për të marrë (ofertuar) pjesë në aktivitetet e prokurimit ose ekzekutimit të ndonjë kontrate publike, sipas Ligjit NR. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, neni 65, paragrafi 3.
AVONET duke parë dokumentacionin e dosjes së ofertuesit të OE “Sallahu” shpk në aktivitetin e prokurimit të projektit me titull: ”Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” me nr. të prokurimit: 616-22-7096-5-1-2, tek autoriteti kontraktues, konkretisht Komuna e Prishtinës, ka parë që Naim Sallahu është zyrtar i OE “Sallahu” shpk, ku figuron edhe në listat e pagave për vitin 2022 të lëshuar më 05.08.2022, poashtu edhe për vitin 2021, 2020, 2019 dhe 2018 në formularin e deklarimeve vjetore dhe pagesave për tatimin në të ardhurat e korportave, ku figuron si person kontaktues Naim Sallahu. Ai figuron edhe në noterizimin e ISO certifikatës që e ka bërë kërkesën Naim Sallahu, të lëshuar në emër të “Sallahu”shpk, që vërteton se ka pozitë udhëheqëse apo pozitë në OE.
Këto dokumente që janë në dosjen e ofertës e kanë plotësuar kriterin e dosjes së tenderit dhe nga kjo rezulton se OE dhe përfaqësuesi i saj Lulzim Sallahu dyshohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe deklarimi i rremë nën betim dhe ky veprim është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe është i dënueshëm me nenin 415 të KODIT PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS, me NR. 06/L-074: Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe nenin 383, deklarimi i rremë nën betim.
AVONET për të gjeturat nga ky monitorim kishte kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të fillojë hetimet. /Demokracia.com/