Ndërprerjet e mëdha të rrymës, flet edhe ZRRE-ja

Ditëve të fundit, ndërprerjet e energjisë elektrike janë bërë një problem shqetësues në Kosovë, me rajone si Gjilani, Ferizaj, Malisheva, etj që raportojnë ndërprerje të zgjatura. Institucionet përkatëse, përfshirë Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), KEDS, KOSTT dhe KESCO, kanë dhënë shpjegime, por përgjigjet e tyre mbeten më shumë justifikime sesa zgjidhje konkrete, shkruan Demokracia.com.

Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut dhe Qeverisë së Kosovës, ndërprerjet po ndodhin për shkak të mbingarkesës së rrjetit, jo për shkak të mungesës së energjisë. Megjithatë, a është kjo një arsye e mjaftueshme? Ky fakt duhet të konfirmohet nga ZRRE, institucioni i cili monitoron sektorin e energjisë në vend.

ZRRE, si organi kryesor mbikëqyrës, deri më tani ka deklaruar për Demokracia.com se ndërprerjet janë rezultat i mbingarkesave në rrjet për shkak të konsumit të lartë, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Por, përse ky fenomen po përsëritet dhe cilat janë masat që po merren? Në vend të veprimeve konkrete, ZRRE duket se i adreson përgjegjësitë te konsumatorët, duke apeluar për kursimin e energjisë.

ZRRE ka konfirmuar se disa ndërprerje janë pasojë e mbingarkesave të rrjetit të menaxhuar nga KOSTT dhe ka kërkuar masa për sanimin e prishjeve dhe përmirësimin e menaxhimit të ngarkesave. Gjithashtu, investimet në infrastrukturën e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes janë të domosdoshme, pasi dallimet ndërmjet prodhimit vendas dhe konsumit mbulohen me importe.

ZRRE, si organi kryesor që mbikëqyr sektorin energjetik, deri më tani nuk është prononcuar për këtë problem. Ky institucion deklaron për Demokracia.com se po monitoron situatën dhe ka konstatuar se ndërprerjet janë rezultat i mbingarkesave në rrjet për shkak të konsumit të lartë, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se disa ndërprerje të energjisë elektrike janë si pasojë e mbingarkesave të rrjetit, përfshirë rrjetin e menaxhuar nga KOSTT (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë). Këto mbingarkesa ndodhin për shkak të kërkesës së lartë për energji gjatë periudhave me konsum të madh. ZRRE ka kërkuar që të ndërmerren masa të shpejta për sanimin e prishjeve në rrjet dhe për menaxhimin më të mirë të ngarkesave, duke përfshirë investime në infrastrukturën e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes. Duhet të theksohet se diferenca ndërmjet prodhimit të energjisë vendore dhe konsumit të brendshëm po mbulohet përmes importit të energjisë. Megjithatë, edhe pse janë ndërmarrë përpjekjet e duhura për të mbuluar tërë konsumin e nevojshëm, mbingarkesat në disa zona vazhdojnë të jenë të pranishme dhe si pasoje ndodhin ndërprerjet e energjisë elektrike. Në këto kushte, kursimi i energjisë elektrike është thelbësor dhe kjo do të ndihmojë operatorët që të menaxhojnë më mirë ngarkesat dhe do të minimizohen edhe ndërprerjet e energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së të pyetur se a kanë konfirmuar nëse ndërprerjet e energjisë janë rezultat i mbingarkesave në rrjetin e menaxhuar nga KOSTT dhe se çfarë masash po ndërmerren për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen?

Por, a është KEDS aktualisht nën monitorim nga ZRRE për menaxhimin e rrjetit dhe për zbatimin e detyrimeve të tij për furnizimin me energji elektrike?

ZRRE thotë se ka një rol kyç në vlerësimin e performancës së operatorëve të rrjetit, përfshirë menaxhimin e rrjetit dhe zbatimin e detyrimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike. ”ZRRE në baza ditore po punon me operatorët e rrjetit për të siguruar që KEDS të marrë masa të shpejta dhe efikase për të minimizuar ndërprerjet dhe për të sanuar dëmet në rrjet si pasojë e mbingarkesave. KEDS është nën monitorim të vazhdueshëm nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Ky monitorim është esencial për të siguruar që KEDS të respektojë kërkesat e licencës. Duke pasur parasysh që infrastruktura e rrjetit është e dizajnuar për të përballuar konsumin e energjisë elektrike, por jo atë termike, në këto kushte, konsumatorët duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të shmangur ngrohjen me energji elektrike. Ky veprim do të ndihmojë në uljen e ngarkesës së rrjetit dhe do të kontribuojë në stabilitetin e infrastrukturës energjetike dhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike”.

Megjithkëtë në një kohë kur qytetarët përballen me ndërprerje të rrymës “për orë të tëra”, duket pak e padrejtë që ZRRE sugjeron se infrastruktura energjetike po keqpërdoret për ngrohje. Mbingarkesat në rrjet dhe investimet e pamjaftueshme janë rezultat i mungesës së planifikimit afatgjatë nga ana e institucioneve dhe operatorëve të rrjetit.

Ditëve të fundit, qytetarë në pjesë të ndryshme të Kosovës janë ankuar për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike. Institucionet e Kosovës, ndërkaq u kanë bërë thirrje atyre që të kursejnë energjinë për shkak të mbingarkesës së rrjetit.

Çfarë është mbingarkesa dhe pse ndodhë?

Mbingarkesa ndodhë kur kërkesa për energji tejkalon kapacitetin e rrjetit, për disa arsye kryesore:

  • Orët e pikut: Konsumi rritet ndjeshëm gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes, veçanërisht për ngrohje dhe pajisje shtëpiake.
  • Dimri: Energjia elektrike përdoret për ngrohje, duke tejmbushur rrjetin.
  • Infrastruktura e vjetruar: Pajisjet e rrjetit nuk janë modernizuar për të përballuar kërkesën në rritje.
  • Mungesa e investimeve: Zonat me rritje të popullsisë dhe industrializim vuajnë nga investime të pamjaftueshme.
  • Planifikimi i dobët: Nuk merren masa për të shtuar kapacitetet në përputhje me rritjen e konsumit.

Në këtë situatë, kërkohet jo vetëm kursim nga konsumatorët, por edhe veprime strategjike nga institucionet për të modernizuar rrjetin dhe për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm.