18 shkurt 2008 | Dita historike kur ShBA njohën shtetin e pavarur të Kosovës

Vetëm një ditë pasi Kosova u shpall shtet dhe republikë e pavarur, njohjet nga shtetet tjera filluan të vinin njëra pas tjetrës.

Secila nga këto njohje do të zinin vend në historinë e shtetit të ri, i themeluar në më pak se një dekadë pas një lufte të përgjakshme për çlirim, shkruan Demokracia.

E tillë është edhe njohja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pasi Kosova u shpallë republikë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin rol të pazëvendësueshëm në çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidenti amerikan, George Bush kishte njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “e njohën zyrtarisht Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur”.

Këtë shpallje të vendimit, Bush e kishte bërë më 19 shkurt 2008 nga Tanzania ku po qëndronte për një vizitë zyrtare.

“Mirëmëngjesi. Të dielën, populli i Kosovës shpalli pavarësinë e tij. Ata i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara njohjen diplomatike. Dhe dje, Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur”, njoftonte Bush.

Para gazetarëve, ai tha se Kosova e saposhpallur e pavarur do të përkushtohej ndaj standardeve më të larta të lirisë dhe do të njihet plotësisht nga SHBA-ja.

“Në deklaratën e saj të pavarësisë, Kosova u angazhua për standardet më të larta të demokracisë, përfshirë lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e të gjitha grupeve etnike. Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor. Janë vlera që Amerika i kërkon te një mik. Dhe së shpejti, ne do të vendosim marrëdhënie të plota diplomatike me shtetin e ri të Kosovës”, shprehej presidenti amerikan.

Video e plotë: https://www.youtube.com/watch?v=qzoO7z3QGRs

I pyetur nëse kjo ishte “provokim” ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, Bush përgjigjej se historia do ta dëshmojë se kjo është lëvizja e saktë për të sjellë paqe në Ballkan.

“Në fakt, ne kemi punuar shumë ngushtë me rusët, ashtu siç kemi bërë me europianët dhe me kombe të tjera për pavarësinë e Kosovës, sepse ne besojmë se është gjëja e duhur për t’u bërë. Ka një mosmarrëveshje, por ne besojmë, ashtu si shumë vende të tjera, se historia do ta provojë këtë si një lëvizje të saktë për të sjellë paqe në Ballkan. Kjo strategji ka qenë e përgatitur prej një kohe të gjatë”, shprehej Bush. / Demokracia.com /