Gjatë ditës së djeshme janë publikuar në rrjete sociale dhe media disa përgjime të Hyrsi Selimit me BIA-n serbe, gjegjësisht komunikata alarmante dhe raportime të hollësishme për disa grupe radikale dhe planet e tyre për të ndërtuar disa “mesxhide” ilegale jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Aty përmendet edhe emri i një imami i cili u bë temë diskutimi prej disa javësh për faktin që lidhet me fatkeqësinë në Kaçanik, ku u vra një polic.
“Te përgjimi thotë ‘kemi me hap mesxhid’. Kjo nuk ka të bëjë me BIK-un, grupi është kundërshtari kryesor i BIK-ut dhe e ka sulmuar BIK-un”, thotë gazetari Vullnet Krasniqi, i cili ka hulumtuar këtë rast.
Në emisionin Kosova Today në Klan Kosova ai shtoi se politika e BIA-s është e qartë këtu: “duhet të gjesh diçka shumë shpirtërore për të ndikuar te një shoqëri”.
“Zekirija Qazimi është hoxha që shihet me djem të rinj kur ka dalë nga burgu duke mbajtur ligjeratë. Ai bën pjesë në grupin që thonë se ne nuk pranojnë gjykatat e Kosovës. Sa më shumë sakrificë bën dhe i mbijeton një strukture e cila është kundër teje dhe po don me të sulmu, në fakt ti e tregon fuqinë tënde në ato grupe”, deklaroi Krasniqi.
Më tej ai shtoi se këta që tashmë po arrestohen nuk janë njerëzit kryesorë dhe se kanë për të dalë edhe emra të tjerë.
“Mendoj që as Qazimi nuk është bash-bash koka, është dikush tjetër mbi të, shqiptar. Po del që në Kosovë janë grupet konkurrente, në kuptimin e marrjes së pushtetit karshi këtij pushteti”, tha gazetari Krasniqi.
