Vuçiç kërkon nga vartësit e tij që të jenë më të zëshëm në arenën ndërkombëtare për situatën e Listës Serbe

Sipas tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron ta pengojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit, meqë nuk po mund ta “kontrollojë atë dhe e sheh si armikun më të madh”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën që të jenë më të zëshëm në arenën ndërkombëtarë për të treguar, siç pretendoi ai, pengimin e pjesëmarrjes së Listës Serbe në Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Gjithçka që po bëhet po bëhet kundër Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve të tjera, prandaj përpiquni që të prezantoni këtë gjë publikut ndërkombëtar”, ka thënë ai në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë.

“Merruni me Kosovën shumë më tepër sesa ishte rasti në muajt e kaluar”, ka kërkuar Vuçiç nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç.

Sipas tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron ta pengojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit, meqë nuk po mund ta “kontrollojë atë dhe e sheh si armikun më të madh”.

“Kurti nuk e dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe, dëshiron përjashtimin nga zgjedhjet”, ka shtuar ai.

Çfarë ndodhi?

Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë (KQZ) të martën ka certifikuar Listën Serbe për Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit, duke konstatuar se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikim të Listës Serbe është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.

Paraprakisht KQZ-ja, javë më parë mori vendim për moscertifikim të Listës Serbe, kjo pasi që dy anëtarë të KQZ-së, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – partia në pushtet – Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.

Disa prej arsyeve për moscertifikimin e Listës Serbe janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj Elek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, dhe për raportet me terroristin Milan Radojiçiç – personi i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Lista Serbe u ankua në PZAP ndaj këtij vendimi.

PZAP në anën tjetër aprovoi ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin nga Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja, KQZ-ja ishte urdhëruar që ta certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik.

Sipas PZAP-së, Lista Serbe, së bashku me kandidatët për deputetë i ka plotësuar kushtet ligjore për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet e 9 shkurtit.

LVV nuk u ndal me keq, kjo parti politike u ankua edhe në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-së kundër Listës Serbe.

Megjithatë edhe Gjykata Supreme e Kosovës e hodhi poshtë si të palejuar ankesën e LVV-së, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa PZAP-së në lidhje me certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.