- Përmbledhtazi: Vetëvendosja nuk ka shumicë parlamentare. Albulena Haxhiu vazhdon të dështojë qe plot 25 herë gati katër muaj pas zgjedhjeve. VV kategorikisht nuk e ndërron emrin e saj. VV ka zgjidhje prej AAK-së dhe PDK-së për t’ia votuar një kandidat tjetër, por nuk e bën. VV pretendon se i ka 57 vota, dhe i duhen edhe 4 për ta kaluar Haxhiun. Por, pretendon se i ka 61 për qeveri të Albin Kurtit në një kuvend që me Albulena Haxhiun nuk e ka. Tash, Albin Kurti pretendon se Haxhiu nuk po kalon sepse opozita është “patriarkale”, ndërsa vetë opozita i ka ofruar dy emra grash brenda VV-së që për ta janë të pranueshme: Saranda Bogujevcin dhe Shqipe Selimin. Situata është në mes të komedisë dhe dhimbjes ndaj mendjes së shëndosh. Por, hajgarja vazhdon.
Vetëvendosje tash ka kaluar edhe në zanatin e komedisë: “Nuk po dështon Albulena Haxhiu, por Komisioni për Votimin e Fshehtë”, është ajo çka qe 16 herë Vetëvendosje pretendon ta ndërtojë në tregimin e vet të vështirë. 16 herë në votim të fshehtë, Albulenen, 16 herë refuzim. Por, “nuk po dështon Albulena”.
Mimoza Kusari-Lila, që i ka rralluar më paraqitjet para gazetarëve – ka lënë figura shumë më poshtë në hierarki të Vetëvendosjes, si Arbëreshë Kryeziu, ta ushtrojnë këtë barrë – dje tha se Vetëvendosja “nuk e ndërron emrin e Albulena Haxhiut” dhe se sërish, për të njëzet e pestën e her, “opozita do të bllokojë”.
Edhe Dimal Basha ia tha kësaj hajgareje me mëngjes: “Kuvendi NUK është duke votu për Albulenën, por për komisionin”.
“Votone Komisionin – pastaj votoni si të doni për Albulenën – por mospjesëmarrja në votim për themelimin e komisionit nga opozita është ABSURDE!”, tha ai.
Arbëreshë Kryeziu, deputete e Vetëvendosjes, po ashtu ia tha kësaj linje komike para gazetarëve se nuk është në pyetje Albulena Haxhiu; duke pasur gabimisht të drejtë – kjo pasi VV nuk ka numra për qeveri, dhe Albulena Haxhiu është siguresa në mos-shkuarjen drejt afateve kushtetuese (15 ditë) për formim të qeverisë.
“17 herë radhazi, opozita refuzon të marrë pjesë në votim, me arsyetimin se problemi është tek Albulena Haxhiu. Ndërkohë që po të kishte qenë ky problemi, ata do ta kishin bërë të mundur votimin e komisionit. Ne mbesim pa një përgjigje të Gjykatës Kushtetuese se si duhet të vazhdojnë deputetët. Po presim përgjigjen, për të na treguar si të vazhdojmë tutje”, tha ajo.
Çfarë ka thënë vetë Haxhiu?
Plot njëzetë e pesë herë është refuzuar nga deputetë të Kuvendit të Kosovës që të zgjedhjet kryetare – Albulena Haxhiu, njofton se nuk tërhiqet.
Por, se pse nuk tërhiqet, Haxhiu ia ka hequr fajin vetes: “Është vendim i partisë”, tha ajo ditë më parë në një intervistë në “KTV”.
“Nuk është këmbëngulja ime personale, por qëndrimi i partisë – ju lutem të mos e shihni si ambicie personale dhe këmbëngulësi timen. Është vendim i LVV-së, dhe i takon VV-së”, tha ajo.
“Deformohet komplet vullneti i popullit”, tha ajo.
“Secilin emër që do ta propozonim nuk do të kishte zmbrapsje. Kushdo që do të ishte vendosur në fillim, njësoj do ta mbronim. Prandaj nuk është çështje personale. Është çështje e të drejtës kushtetuese”, tha ajo.
Për më tepër, Haxhiu tha se nuk ka krizë të thellë, por se seancat çdo 48 orë po e bëjnë të duket e tillë.
