
SHARE:
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e mbajtur të premten, pas plotësim-ndryshimit të Rregullores së punës, tri ditë para se t’i përfundojë mandati kryetarit të deritanishëm, Jeton Mehmeti, ka zgjedhur kryetarin e ri, Besnik Berishën.
Paraprakisht, në rend dite u vendos plotësim-ndryshimi i Rregullores së punës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Propozimi për t’u futur në agjendë kjo pikë e rendit të ditës u bë nga anëtari Besnik Berisha dhe u përkrah nga anëtarët Luljeta Aliu dhe Fitim Veliu.
Gjatë diskutimit, mes tjerash tre anëtarët kanë thënë se këtë po e bëjnë në mënyrë që KPM-ja të mos mbetet pa kryesi. Më pas, pasi u hodh në votim, tre të lartpërmendurit votuan pro, kurse kryetari Mehmeti kundër. Ndërsa, abstenoi Fatih Berisha.
Kështu që me plotësim-ndryshimin e Rregullores, nenit 3 “Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarit të KPM-së“, iu shtua paragrafi 2, me të cilin përcaktohet se: “Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni zgjedhja e Kryetait, përkastësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një (1) muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, vecanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në rastet kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.
Ndërsa, paragrafi 1 i Rregullores përcakton se: “Zgjedhja e Kryetarit dhe/ose Nënkryetarit bëhet në mbledhjen e parë pas mungesës së tyre (përfundimit të mandatit, shkarkimit, ose ndonjë arsyeje tjetër të pamundësisë së ushtrimit të funksionit të Kryetarit dhe/ose Nënkryetarit) me shumicë të thjeshtë të votave, nga radhët e anëtarëve të KPM-së, nëse në mbledhje janë dy të tretat (2/3) e anëtarëve të KPM-së“.
Për kryetar, Fitim Veliu e propozoi Besnik Berishën, kurse nënkryetare Luljeta Aliun.
Më pas, Zyra Ekzekutive kërkoi kohë për t’u përgatitur për votim. Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Niman Rracaj tha se votimi duhet të jetë i fshehtë dhe kërkoi kohë për Zyrën Ekzekutive derisa të përgatitet. Pas kësaj, me 4 vota për, Besnik Berisha u zgjodh kryetar i ri i Komisionit të Pavarur të Mediave.
Jeton Mehmeti kërkoi që pas zgjedhjes së kryetarit të ri, të vazhdojë Berisha me kryesimin e mbledhjes, mirëpo pati kundërshtime, pasi u tha se mandati i Mehmetit është i plotfuqishëm deri në datën kur i skadon ky mandat.
U.d.kryeshefi ekzekutiv, Niman Rracaj tha se Mehmeti e vazhdon detyrën deri në fund të mandatit dhe se pas përfundimit të mandatit, vjen në detyrë kryesia e re.
Meqenëse Mehmeti tha se nuk e di nëse ligji ia lejon të vazhdojë me kryesimin e mbledhjes dhe se pati kundërshtime, mbledhja shkoi në pauzë.
Ndryshe, Jeton Mehmeti më 21 janar 2022 është emëruar Kryetar i KPM-së me mandat 3-vjeçar. Mandati i tij pëfundon më 20 janar 2025.
Paraprakisht, gjatë ditës, juristja e medias Flutura Kusari paralajmëroi se Mehmeti pritet të shkarkohet kundërligjshëm pak ditë para se t’i përfundojë mandati.
Sipas saj, qëllimi i shkarkimit është të uzurpohet pozita e kryetarit dhe nënkryetarit para se të zgjedhen anëtarët e rinj të KPM-së.
Postimi i plotë i Kusarit:
“Alarmuese
Sot në takimin e Komisionit të Pavarur për Media pritet të shkarkohet kundërligjshëm kryetari i KPM-së Jeton Mehmeti, disa ditë para se t’i kryhet mandati.
Shkarkimi do të bëhet në mënyrë të kundërligjshme dhe në një proces të motivuar politikisht.
Qëllimi i shkarkimit është që të uzurpohet pozita e kryetarit dhe nënkryetarit para se të zgjedhen anëtarët e rinjë të KPM-së.
Sipas votave që i kanë, kryetari dhe nënkryetari do ta zgjedhin veten dhe do të jenë udhëheqesit më jolegjitim të historisë së KPM-së. Sigurisht që ky vendim do të atakohet menjëherë në gjykatë.
Në agjendën e takimit, shkarkimi nuk figuron si pikë e rendit sepse do të ndodhë si propozim për pikë shtesë.
Unë du me besu që zyra ekzekutive e KPM-së do ta ndalojë këtë procedurë të jashtligjshme dhe do ta kundërshtojë haptazi sot.
Ky zhvillim do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në rënien e mëtutjeshme të lirisë së mediave dhe do të shënohet në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare.
I lus mediat që të përcjellin mbledhjen në mënyrë që ta dokumentojmë këtë shkarkim politik.
Kryetari dhe nënkryetari duhet të zgjedhen pasi të plotësohet komisioni me anëtarë të rinjë“

