Trepça fiton në Pejë, gara për vendin e parë e hapur deri në fund

Trepça fiton në Pejë, gara për vendin e parë e hapur deri në fund

03.04.2025 20:57

Trepça e ka mposhtur Pejën në shtëpinë e këtyre të fundit.

73-78 përfundoi klasikja basketbollistike në palestrën “Karagaç”, e luftuar deri në fund.

Vetëm perioda e dytë i takoi pejanëve, të cilën e mbyllën 21-18, i treti përfundoi baras 17-17, teksa mysafirët triumfuan në të parin 25-18 dhe të fundit 18-17, çka i majftoi për t’i arkëtuar pikët e plota në këtë ballafaqim, raporton Klankosova.tv.

Pas kësaj disfate, pejanët e kanë humbur vendin e katërt në tabelë, e cila tani i takon Golden Eagle Yllit, derisakampionja aktuale vazhdon ta kërkojë pozitën e parë, për të cilën në luftë është me Bashkimin.

Prizrenasit pasi e mundën Prishtinën në kryeqytet me rezultat 80-88, vazhdojnë ta udhëheqin renditjen tabelare me 46 pikë, një më shumë se “Torcida” e vendit të dytë.

Basketbollisti më i mirë në betejën e “Shqiponjave” me “Torcidën”, ishte lojtari i këtyre të fundit, Tekele Mozet Cotton, i cili realizoi 24 pikë, pesë kërcime e një asist.

Te Peja ishte Marquez Towns më i dalluari, me 16 pikë, dy kërcime e pesë asistime, njofton Klankosova.tv.

Kur ka mbetur vetëm edhe një xhiro për t’u zhvilluar në fazën e rregullt të edicionit 2024/25, vetëm tri skuadra e kanë të qartë fatin e tyre.

Proton Cable Prizreni është larguar nga ProCredit Superliga, kurse për të qenë pjesë edhe sezonin e ardhshëm në elitën basketbollistike të Kosovës, Bora do të luaj në ‘Play-Out’ me humbësin e finales së Ligës së Parë, Grapeland – KEK-u.

Nga ana tjetër, Prishtina përfundimisht mbetet e treta, duke e pritur kundërshtarin e çerekfinales së PlayOff-it, i cili do të jetë ai ekip që përfundon i gjashti në renditje.

Bashkimi dhe Trepça janë kualifikuar direkt në gjysmëfinale, vetëm se mbetet të shihet se cila përfundon në vendin e parë.

ProCredit Superliga e Kosovës në basketboll, transmetohet ekskluzivisht në ArtMotion!

Në javën e fundit takohen:

Prizreni – Ylli
Bashkimi – Peja
Trepça – Bora
Vëllaznimi – Prishtina.