Një rast jo i zakontë ka ndodhur të hënën në Gjakovë.
Atje një person e kishte thirrur policinë dhe kishte paralajmëruar se do ta kryente një vrasje.
Me këtë rast, organet e rendit ishin aktivizuar menjëherë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për arrestimin e tij.
Ai dyshohet për veprat penale “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
E po ashtu lidhur me rastin është prangosur edhe një person, i cili e kishte penguar njësitin policor për ta arrestuar të dyshuarin kryesor.
Ky i fundit dyshohet për vepren penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Zyrtarët policorë hasën në rezistencë, por shpejtë ia dolën ta fusin nën kontrollë situatën.
Klankosova.tv mëson se të rinjtë kishin qenë në gjendje të dehur.
Kurse, në vendin e ngjarjes janë gjetur një armë, një thikë e një boks hekuri që janë konfiskuar si prova.
Rastin e ka konfirmuar përmes një përgjigje për Klankosova.tv edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Prokurori i Shtetit, së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e duhura hetimore, ashtu që veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar në bashkëpunim me policinë”, thuhet në përgjigjen për Klankosova.tv