Tërheqja e shortit për renditjen e partive politike në fletëvotim, më 7 janar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se më 7 janar do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e partive politike në fletëvotim për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka thënë se “numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësojnë subjektet politike është 1 mijë e 280 kandidatë”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjnë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka thënë Elezi para gazetarëve.

Më 11 dhjetor 2024, në orën 23:59, përfundoi afati për paraqitjen dhe certifikimin e subjekteve politike.

Në këtë periudhë kohore, nga data 1 shtator 2024 deri më 11 dhjetor, gjithsej 28 subjekte politike dorëzuan aplikimet e tyre, duke përfshirë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Nga numri i përgjithshëm, 20 parti politike kanë aplikuar dhe janë certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje.

Në mesin e tyre janë forca të njohura politike si Lëvizja VETËVENDOSJE!, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet pakicë si Srpska Lista, Kosova Demokratik Türk Partisi, dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tashmë kanë nisur parafushatat për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të 2021-së dhe të cilat ishin organizuar brenda një periudhe të shkurtër kohore për shkak se ishin të jashtëzakonshme.