Deputetët do të mblidhen për herë të 29-të për të tentuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e legjislaturës së nëntë do të rikthehen sërish në sallën plenare të Kuvendit për të provuar formimin e këtij institucioni legjislativ.
Për herë të 28-të, ky proces kishte dështuar të shtunën.
Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur pikërisht në pikën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Fillimisht, votimi për kryetare të Kuvendit, për kandidaten e LVV-së, Albulena Haxhiu, u zhvillua në mënyrë të hapur, por ajo nuk arriti asnjëherë të sigurojë votat e nevojshme për këtë pozitë.
Më pas, si zgjidhje, LVV-ja propozoi formimin e një komisioni për votim të fshehtë – propozim që vazhdon të dështojë, ndërkohë që partia insiston në këtë opsion.
Kryetari i partisë që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, Albin Kurti, para disa ditësh konfirmoi se në disa raste ka takuar kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të biseduar lidhur me formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas tij, takimet me “Komandant Çelikun”, siç e quajti ai, janë zhvilluar në një atmosferë ku është “rritur besimi”, “rritur mirëbesimi” dhe “vullneti për të bashkëpunuar”.
Ndërkaq, në takimin e zhvilluar mes presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se Kurti kishte thënë në takim se “nuk ka ndonjë urgjencë për formimin e institucioneve”.
Osmani deklaroi se, nëse situata vazhdon kështu, do të takohet ndarazi me secilin lider partie.
Por ende nuk është zhvilluar asnjë takim mes presidentes Osmani dhe ndonjë lideri partie, përveç atij me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, i cili kishte kërkuar vetë takimin.
Nëse as pas këtyre takimeve nuk gjendet zgjidhje, Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
