Policia përdori armën për të ndalur dyshuarit që ikën me veturë pas të shtënave në Mramor të Prishtinës, ndërsa ata janë ende në arrati.
Mbrëmjen e së dielës në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri.
Policia është mobilizuar menjëherë dhe ka dalë në vendngjarje, ku ka identifikuar një veturë të dyshuar.
Përkundër sinjalizimeve të policisë për ndalimin në pikën e kontrollit, shoferi i veturës ka refuzuar të ndalet dhe ka vazhduar me shpejtësi të madhe, duke manovruar në mënyrë të rrezikshme.
“Rreth orës 17:30 është pranuar informata për gjuajtje me armë zjarri në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës.Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç ‘rast ka identifikuar një veturë të dyshuar e cila përkundër sinjalizimit të policisë për tu ndalur në pikë kontrolli e njëjta ka refuzuar duke vozitur me shpejtësi të madhe dhe duke manovruar rrezikshëm, kësisoj duke vënë para rrezikut të drejtpërdrejtë zyrtaret policor”, thuhet nga ana e Policisë për Dukagjinin.
Policia ka organizuar një tjetër pikë kontrolli për të ndaluar veturën, por shoferi ka vazhduar të manovrojë me rrezik, madje duke tentuar të godasë zyrtarët policorë.
Për shkak të rrezikut të menjëhershëm për jetën e oficerëve, ata janë detyruar të përdorin armën e zjarrit.
Aktualisht, vetura e dyshuar është në arrati dhe personat e përfshirë në këtë incident janë ende të paidentifikuar.
Policia vazhdon hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e tyre.