Tavakoli: Thaçi asnjëherë nuk u konsiderua si person që mund të arratiset, ai hoqi dorë nga posti i presidentit për t’iu përgjigjur drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë gjatë paraqitjes së parë të ish-presidentit Thaçi për akuzat për pengim të drejtësisë, ndaj tij u mor vendim që t’i caktohet masa e paraburgimit.

Mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli tha se në çështjen 06, ku Thaçi akuzohet për krime lufte, asnjëherë nuk e ka konsideruar atë si person që mund të arratiset. Madje, ajo tha se Thaçi ka hequr dorë nga posti i presidentit të Kosovës për t’iu përgjigjur drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për shkak se klienti im është në fakt në paraburgim, në kuadër të lëndës 06, kështu që kjo i takon që është e panevojshme. Sidoqoftë do të doja të theksoja disa gjëra për procesverbal. E kuptoj që keni kryer një vlerësim të pavarur dhe ka arsye që Thaçi është person që arratiset, por doja të thoja për procesverbal që trupi gjykues në çështjen 06 nuk e kanë konsideruar asnjëherë si person që mund të arratiset. Ai është dorëzuar vullnetarisht në juridiksionin e kësaj gjykate dhe ka hequr dorë si president për të ardh këtu dhe kjo është theksuar në çështjen 06”, tha Tavakoli.

Gjithashtu, ajo tha se është shqetësuese që ka mbivendosje të lëndëve nga ajo 06 në këtë të tanishmen nga ana e ZPS-së.

“Mbrojtja vëren shqetësimin që ka lidhur me konstatimet e gjykatëses paraprake në kuadër të vendimit që ka marrë. Për shembull për paragrafin… për lendet që në fakt mbivendosen në çështjen 06. Për shembull klienti im, rolin që ka pas në UÇK, që ka qenë një prej themeluesve të UÇK-së. Ne jemi të shqetësuar, sepse duket sikur ZPS-ja po përpiqet të ndikojë këtë çështje në të njëjtën kohë po polidigon edhe në çështjen 06 të klientit tim. Kjo është vërtetë shqetësuese aktualisht dhe duhet të keni parasysh që nuk duhet të ketë mbivendosje të këtyre lendeve gjyqësore”, tha Tavakoli.

Ajo gjithashtu tha se Thaçi tashmë është në paraburgim dhe çdo kërkesë për lirim të përkohshëm është i tejkaluar në këtë fazë.

“Për shembull, konstatimi që keni marrë ju sa i takon një çështje të drejtpërdrejtë në këtë proces gjyqësor, konstatimi juaj për ne është problematik. Pra, mbrojtja e kupton që për faktin që z. Thaçi është në paraburgim aktualisht, cdo kërkesë për lirim të përkohshëm është i tejkaluar në këtë fazë. Sidoqoftë ky ishte kontestimi ynë lidhur me qëndrimin tuaj”, tha ajo.

Tutje, nuk pati parashtrime të tjera avokatja Tavakoli, pasi sipas saj këto parashtrime janë vetëm toeorike pasi klienti i saj tashmë ndodhët në paraburgim për një çështje tjetër.