Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh të martën në Bruksel. Në këtë takim Kosova u përfaqësua nga kryenegociatori, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga kryenegociatori, Petar Petkoviq. Për çka u dakorduan palët.
Të martën në Bruskel është mbajtur takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, ka thënë pas përfundimit të takimit trepalësh në kuadër të dialogut tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.
Ai shtoi se Serbia ka premtuar se nuk do ta pengojë punën e këtij Komisioni.
“Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet” – ka thënë ai siç raporton REL.
Kujtojmë se Kosova dhe Serbia gjatë vitit 2023 kishin arritur marrëveshje për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur.
Në anën tjetër, Petar Petkoviq, ka thënë se kanë rënë dakord për formimin e Komisionit për të pagjeturit.
“Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka thënë sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Ai ka thënë se Komisioni do të jetë organi më i lartë për zbatimin efektiv të Deklaratës së Personave të Zhdukur.
“Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur. Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse.” – ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, ai beson se ky Komision do të shërbejë si një përparim drejt zgjidhjes përfundimtare për këtë proces.
“Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën.” – ka shkruar ai.
Kujtojmë se në Kosovë janë 1 mijë e 612 persona të pagjetur që nga lufta.
