Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon sulmet ndaj sistemit të drejtësisë edhe gjatë fushatës zgjedhore. Njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se sulmet e kryeministrit po bëhen me qëllim për të ndikuar në punën e drejtësisë dhe për të krijuar nevojën për të gjetur gjithmonë një fajtor tjetër.
“Asnjë punë nuk na lodh, por na lodh mospuna e drejtësisë”.
“Krerët e prokurorisë kanë vdekur për së gjalli”.
“Kjo prokurori nuk duket sikur është e Kosovës”.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar sistemin e drejtësisë. Megjithatë, gjatë tri fushatave radhazi në Ferizaj, Prizren dhe Istog, ai ka ashpërsuar tonin dhe sulmet ndaj prokurorisë, duke tentuar të shprehë pakënaqësinë e tij për “mospunën e prokurorisë”.
Sulmet ndaj pushtetit të tretë të vendit, po konsiderohen si një tendencë dhe nevojë për të pasur gjithmonë një fajtor për të akuzuar, edhe pse, sipas njohësve të çështjes së drejtësisë, ajo është e papranueshme.
Nga këndvështrimi i tyre, me të gjitha deklaratat që kreu i ekzekutivit po bën në vazhdimësi, po tregohet se qëllimi i tij është të ndikojë në punën e Prokurorit të Shtetit.
Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Xhevdet Smakiqi, në një përgjigje për Albanian Post, thekson se pavarësia e Prokurorit të Shtetit është e përcaktuar me ligj.
“Neni 46 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës përcakton pavarësinë e Prokurorisë së Shtetit, duke theksuar se organet publike nuk mund të ndikojnë, as formalisht dhe as joformalisht, dhe as të drejtojnë veprimet e prokurorëve të shtetit në trajtimin e çështjeve individuale penale apo gjatë hetimeve”, thotë Smakiqi për AP.
Ai kujton se në vitin 2024, kryeministri dhe presidentja janë detyruar t’u shkruajnë një letër shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KiE), duke premtuar se nuk do të japin deklarata publike apo politike lidhur me punën e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë.
“Megjithatë, Albin Kurti e ka shkelur këtë premtim, duke demonstruar synimin e tij për të kapur dhe kontrolluar Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), përfshirë përmes ligjeve antikushtetuese që nuk e kanë kaluar testin në Gjykatën Kushtetuese, me vërejtje paraprake nga Komisioni i Venecias”.
Smakiqi thekson se qëllimi i Kurtit është të përcjellë dy mesazhe kundër Prokurorisë Speciale.
“Të manipulojë votuesit e tij, duke i paraqitur veten dhe vartësit e tij si “engjëj të politikës”, pavarësisht dyshimeve të bazuara për korrupsion qeveritar”.
“Të krijojë mbrojtje politike në rast se ngrihet ndonjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale ose nëse zgjerohen hetimet kundër tij si bashkëpunëtor i të dyshuarve nga radhët e vartësve të tij, duke e paraqitur veten si një figurë që po përndiqet politikisht përpara militantëve të tij”, shton ai.
Avokati Ardian Bajraktari, në një bisedë për Albanian Post, deklaron se sulmet e tilla janë të gabueshme.
Kjo pasi, sipas tij, “minojnë tej mase besimin e publikut në drejtësi”.
“Sulmet e eksponentëve politik të pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë në përgjithësi e sistemit prokurorial në veçanti, përgjatë këtij mandati kanë qenë pjesë e diskursit thuajse të përditshëm, e rrjedhimisht në kohë fushate me intensitet edhe më të lartë”.
Bajraktari potencon se një qasje e tillë tregon se kryeministri po përpiqet t’i hedhë përgjegjësitë, që kanë qenë tek ai, tek të tjerët.
“Një qasje e tillë vlerësoj se është tentative për ta pasur përherë një “fajtor kujdestar”, megjithatë kjo qasje është e pa pranueshme”, pohon Bajraktari për AP.
Kryeministri Albin Kurti, është ftuar në cilësinë e dëshmitarit për t’u intervistuar në Prokurorinë Speciale lidhur me rastin e rezervave shtetërore, ai ka pranuar ftesën e dytë pasi që herën e parë s’ka pasur mundësi të jetë i pranishëm për shkak se gjendej jashtë vendit.
Megjithatë, Kurti ka kërkuar që prokurorët të e intervistojnë atë në Zyrën e Kryeministrit, për tre herë radhazi ai është pyetur nga gazetarët nëse do t’i përgjigjet ftesës së dytë të Prokurorisë Speciale, por që ka refuzuar të përgjigjet.
Në ftesën e Prokurorisë ishte thënë se nëse Kurti refuzon të dëshmojë pa arsyetim ligjor, mund të dënohet me gjobë deri në 250 euro.
“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro”, thuhej aty.
Ndërsa, nëse edhe pas kësaj refuzon, atëherë nga Prokuroria theksohet se mund të ketë pasojë burgimi.
“Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”, potencohet aty.
Për rastin e rezervave shtetërore janë arrestuar disa zyrtarë, por të njëjtit janë liruar për t’u mbrojtur në liri.
Në prill të këtij viti, ministrja Hajdari ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Megjithatë, nuk janë ofruar detaje të plota për përmasat e hetimeve të këtij rasti.
