Starmer flet me Trump përpara takimit ShBA-Ukrainë në Arabinë Saudite

Kryeministri britanik, Keir Starmer, foli me presidentin amerikan, Donald Trump, përpara diskutimeve kyçe midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Arabinë Saudite këtë javë, shkruan CNN.

“Kryeministri tha se zyrtarët britanikë kishin qenë në kontakt me zyrtarët ukrainas gjatë fundjavës dhe mbeten të përkushtuar ndaj një paqeje të qëndrueshme,” tha të hënën një zëdhënës i Downing Street.

“Kryeministri tha se shpresonte që bisedimet të kishin një rezultat pozitiv që do të mundësonte rifillimin e ndihmës amerikane dhe ndarjes së inteligjencës,” shtoi zëdhënësi.

Trump tha të dielën se pezullimi i ndarjes së inteligjencës me Kievin ishte “pothuajse” hequr, por nuk pranoi të premtonte heqjen e pezullimit të ndihmës ushtarake nëse Ukraina nënshkruan një marrëveshje të re për mineralet me ShBA-në.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të hënën se SHBA-ja ishte “shpresëplotë” për një “takim të mirë” me ukrainasit në Arabinë Saudite të martën, duke thënë se ai do të ishte kyç për t’i dhënë fund pezullimit amerikan të ndihmës ushtarake për Kievin.