I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se dy ditët e kaluara i ka kaluar në Paris dhe Berlin, ku ka diskutuar për vazhdimin e dialogut.
“Kam kaluar dy ditët e fundit në Paris dhe Berlin. Kemi pasur biseda shumë të mira dhe kuptimplota se si të ecim përpara në dialog”, ka shkruar Sorensen në rrjetin social “X”.
Ai shtoi se është mirënjohës për mbështetjen e plotë të dhënë në përpjekjet e tij në këtë drejtim.
Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen mori detyrën në fillim të këtij muaji. Danezi do të ketë një mandat fillestar prej 13 muajsh.
Por, për dallim nga Lajçak, Sorensen është i ngarkuar nga Bashkimi Europian vetëm për dialogun pa çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe fokusi i tij primar do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.