Sondazh: Rreth 80% e të anketuarve kundër propagandës së Qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese

Sulmet e paprecedenta të kryeministrit Albin Kurti, të orkestruara në harmoni me zyrtarët e tjerë qeveritarë, ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, janë shndërruar pothuajse në një ritual të çdo paraqitjeje. Megjithatë, përkundër retorikës së ashpër dhe akuzave të rënda që Kurti dhe kabineti i tij hodhën pa kursim në drejtim të këtij institucioni përgjatë katër viteve, një sondazh i fundit nga UBO pikturon një goditje fatale ndaj narrativit që Kurti synoi me ngulm të impononte.

Sipas një sondazhi të realizuar nga UBO, kompani në të cilën Vetëvendosje ka besim të madh, plot 79.1% e të anketuarve nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me Qeverinë për punën e Gjykatës Kushtetuese, duke sfiduar përpjekjet e kryeministrit Kurti në veçanti – si ithari më i zjarrtë i këtij narrativi – për të formësuar një perceptim negativ te qytetarët për këtë institucion.

Besueshmëria e qytetarëve ndaj Kushtetueses

Sipas sondazhit të realizuar në tetor të këtij viti, 54.6% e qytetarëve deklaruan se “pajtohen” ose “pajtohen plotësisht” me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Vetëm 8.4% e qytetarëve shprehën mospajtim, ndërsa ata që “nuk pajtohen aspak” ishin edhe më të paktë, 6.1%.

Ndërkaq, 24.5% janë “neutralë”, që përbën një perceptim më të moderuar por jo negativ ndaj institucionit.

Kushtetuesja pati performancë të lartë edhe në pyetjen “Si e vlerësoni shpejtësinë e Gjykatës Kushtetuese në trajtimin e rasteve?”.

Plot 46% e të anketuarve janë me përgjigjur me opsionet “Të kënaqshme” dhe “shumë të kënaqshme”, ndërsa 34% janë “neutralë”.

Në ndarjen sipas etnisë, vetëm 4.9% e shqiptarëve janë përgjigjur “Nuk pajtohem aspak”, derisa 35.1% i përkasin komunitetit serb.

Sulmet e Qeverisë ndaj Kushtetueses

Në një intervistë në emisionin Rubikon, Kryeministri e cilësonte Gjykatën si një “opozitë politike”, ndërsa e akuzonte se vendimet e saj nuk burojnë nga “motivi i ruajtjes se kushtetueshmërisë”.

“Unë nuk jam i bindur që [rrëzimet e ligjeve] bëhen nga motivi i ruajtjes se kushtetueshmërisë sa i nga një opozitarizmi politik.” – deklaronte Kurti.

Madje, sulmet e Kurtit në drejtim të Kushtetueses bëheshin me aq vetëbesim sa që, gjatë një interviste për Televizionin Publik të Kosovës, e ftoi Kushtetuesen të garojë në zgjedhjet e ardhshme.

“Unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata, le të garojnë në zgjedhje. Nuk është a-politik nëse merr vendime për politikat, për ato garohet në zgjedhje. Kur ata të garojnë ju mund të votoni për ta. Nuk është e thënë që Gjykata Kushtetuese tash ta bëj dyfishimin e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, pra nuk më pëlqejnë mu një mori vendimesh që janë marrë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa në një sulm të fundit gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2025, Kurti e akuzoi këtë institucion për “më shumë bilanc politik se sa drejtësi”.

“Kjo gjykatë, që më shpesh bën bilanc politik sesa ndan drejtësi, na rrëzoi njërin ligj — atë për çmimin tavan — ndërsa e miratoi tjetrin, atë për pagën minimale. Dëm, gjithsesi. Për të parin, sepse nuk hyri kurrë në fuqi, dhe për të dytin, sepse zbatimi i tij u vonua për një vit”, ka deklaruar Kurti.